Çako mbledh krerët vendorë: Task-force në çdo drejtori për asetet e krimit

Pas fjalëvë të K/ministrit Rama, vendosmërinë e luftës kundër krimit të organizuar e përforcoi sot dhe Drejtori i policisë shqiptare Haki Çako, në takimin me drejtorët e policive vendore dhe kufitare, ku u fol për mekanizmat e rinj me të cilët do të luftohen kokat e krimit.

Pranë çdo drejtorie vendore pritet të ngrihet një task-force që do të drejtojë operacionin për sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Për këtë do të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet dhe burimet legale, çfarë do të thotë se do të shkembehen rregullisht informacione me doganat, QKR, Hipotekat, Aluizni, SHISH, Prokurori dhe partnerët ndërkombëtarë.

Policia do të mbajë sy e veshë dhe nga personat me precedentë kriminalë, që paraqesin shqetësim për rendin dhe sigurinë; me një impakt negativ dhe për qarkullimin rrugor, mjediset publike, shkollat dhe universitetet. Do të evidentohen dhe do të ndëshkohen elementët që ushtrojnë ndikim të paligjshëm tëk zyrtarët, dhe nëpunësit publikë.

Prioritet tjetër i policisë do të jetë "dhuna në familje".

Çako kërkoi nga uniformat më tepër vëmendje duke evidentuar çdo konflikt, ringjallje të konflikteve të mëparshme dhe duke mbajtur nën vëzhgim personat që kanë tendencë kriminale në këtë drejtim.

"Pavarësisht punës dhe ngarkesës së jashtëzakonshme që kemi, ky është një tjetër prioritet që duhet të kontribuojmë akoma më shumë, jo vetëm në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit, por edhe në drejtim të sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë”.

Tjetër prioritet, ndërtimet pa leje, prerja e paligjshme e pyjeve, shkatërrimi i pyjeve me zjarr, vjedhja e energjisë elektrike.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet