‘'Duroje se burri të rreh'’, gruaja tregon tmerret e martesës

Një 31-vjecare, nënë e 4 fëmijëve ka rrëfyer sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” dhunën e ushtruar prej vitesh nga ish-bashkëshorti i saj. Gruaja nga Mamurrasi, është martuar 13 vite më parë në një moshë shumë të re dhe martesa e saj gjithmonë ka qënë problematike. Njohja me bashkëshortin është bërë me mblesëri, ajo thotë se me të e ka njohur kunati.

“U njoha në moshën 19 vjecare, mblesi, ishte vëllai i bashkëshortit, kunati im. Ai duhet “të më tregonte, kur e njehte vëllain e vet.” -tregon 31-vjecarja. Gruaja rrëfen se gjatë martesës shpesh herë është konfliktuar me bashkëshortin, konflikte të cilat i kanë rrezikuar edhe jetën asaj.

“Unë mblidhja lule në mal, ai flinte gjumë. Në darkë nuk vinte në shtëpi, lekët që fitoja i shpenzonte për vete. Unë punoja, kam marrë edhe kredi, me ato të ardhura ndërtova tre dhoma. E braktisa atë banesë që e ndërtova me të ardhurat e mia, se jemi në një oborr, ndihem e përbuzur, se e denoncova.”- rrëfen ajo.

4 vjet më parë 31 vjeçarja mori guximin dhe e denoncoi bashkëshortin . Gjykata i dha nënës se 4 fëmjëve urdhër mbrojtjeje, ndërsa la në burg burrin duke e dënuar me 8 muaj. Por gruaja pas daljes së bashkëshortit nga burgu vendosi të rikthehet sërisht me të, situate e vështirë ekonomike por edhe pamundësia për t’i rritur e vetme fëmijët bëri që gruaja të rikthehej.

Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u përball sërisht me dhunën. Bashkëshorti rifilloi konfliktet në familje të cilat degjeneronin gjithmonë në dhunë, kjo e detyroi sërisht gruan ta denonconte dhe tre muaj më parë ajo mori sërisht urdhër mbrojtjeje, ndërsa bashkëshorti ndodhet pas hekurave. Ajo tregon se dhunës nuk i kanë shpëtuar as fëmijët e saj, madje edhe më i vogli, vetëm tre vjec.

“Djali linte shkollën e vinte me mua, e detyronte ai, për të mbledhur lule në mal. Si mund të punonte ai, vetëm 11 vjec, e babai të flinte. Më dhunonte në sy të fëmijëve të vegjël, vajza e vogël e kujton edhe sot, ishte i dhunhëm edhe me fëmijët. Edhe më të voglin, tre vjec e ka dhunuar. Dhunonte se nuk kishte lekë për të dalë, dhe nevrikosej. Durova në fillim se nuk doja të prishja familjen. Duroja dhunën që fëmijët mos rriteshin pa baba.” Rrëfen gruaja, e cila tregon se ish bashkëshorti i thoshte: “Po të duash rri si shërbërore, ose ik largohu je e lirë”. Ajo madje rrëfen ish-burri i saj flinte me armë nën jastëk.

“Herën e fundit më kërcënoi edhe me armë, e përjetonin edhe fëmijët, e mbante poshtë jastëkut. Familja prej turpit më thonte të duroja, iu kam thënë disa herë që ka edhe armë. Por nga turpi duhet të duroja, në fshat ndryshon gjithcka, gruaja duhet t’i nënshtorhet burrit për gjithcka. Më thonin se duhet të qëndroja, më thonin ‘duroje se burri të rreh’ iu vinte turp që të ndahesha.” – rrëfen ajo.

Gruaja sot ka frikë për të ardhmen, ajo ka nisur procesin e divorcit, por ndihet e kërcënuar pasi ka frikë të përballet me bashkëshortin në momentet kur ai të dalë na burgu. 31-vjecarja bën apel për ndihmë. Ajo thotë se me të ardhurat e saj e ka të pamundur të rrisë e vetme 4 fëmijët e saj, si edhe të paguajë kredinë e marrë, gjatë martesës me bashkëshortin. BW

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Aurora Dibra  e Martë 30 Prill, 2019

    Ik sa ma par prej atij vend pshto vedin e fmit