Zbulohet banda e drogës italo - shqiptare. Në pranga dhe efektivi i policisë

Trafikonin drogën përmes avionëve të vegjël nga Vlora drejt Italisë

TIRANË - Policia italiane në bashkëpunim me policinë shqiptare kanë shkatërruar një bandë trafikimi droge, duke prangosur 14 persona mëngjesin e sotëm, të gjithë shqiptarë. Drejtori i Policisë për Krimet e Rënda, Ardian Çipa, gjatë një deklarate për mediat sqaroi detajet e mëtejshme të këtij operacioni, si dhe zbardhi emrat e të arrestuarve, ku mes tyre ishte dhe një punonjës policie i Vlorës.

Ai tha se operacioni për kapjen e 14 personave është koduar “Fluturim i Lirë”. “Hetimet lidhur me këtë bandë kanë nisur në mesin e muajit korrik 2015 dhe gjatë kësaj kohe është shkëmbyer vazhdimisht informacion dhe janë koordinuar veprimet mes policisë shqiptare dhe asaj italiane”, tha Çipa.

Sipas tij, autoritetet u vunë në dijeni për aktivizimin e një linje që do të trafikonte drogë, nga vendi ynë drejt Italisë. “Gjatë këtij hetimi pro-aktiv, duke aplikuar metoda speciale, për më shumë se 1 muaj, janë identifikuar dhe mbajtur nën kontroll personat e dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe u shkëmbye informacion me autoritetet italiane. Linja e trafikut, shtoi Çipa, ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël. Policia shqiptare identifikoi menjëherë personat e përfshirë në rrjet dhe i mbajti ata nën vëzhgim. Në koordinim me homologët italianë, nëpërmjet shërbimit Interforce, u godit i gjithë grupi, pas dokumentimit të linjës së trafikimit”, tha Drejtori i Policisë së Shtetit për Krimet e Rënda.

Operacioni për kapjen e të dyshuarve:

foto-11Sipas Çipës, mëngjesin e 24 gushtit avioni i vogël i drejtuar nga shtetasi Vilson Lamaj është nisur nga Italia me destinacion vendin tonë, duke u ulur në orën 07:02 minuta, në një zonë pa shumë lëvizje në afërsi të fshatit Xhelilaj, pranë Sevasterit në Vlorë, ku edhe ka ngarkuar një sasi prej 120 kg marijuanë. Në momentin e uljes së avionit në Brindizi, policia italiane ka arrestuar shtetasin shqiptar, Vilson Lamaj dhe bllokoi lëndën narkotike.

“Theksojmë, tha Çipa, se lëvizjet e avionit, përgatitja, itinerari dhe ngarkimi i lëndës narkotike në momentin e uljes, ishin pjesë e procedimit penal dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj italiane, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit, për të kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë autorëve. Sapo mjeti fluturues ka zbritur në tokën italiane, është kryer bllokimi i tij. Ndërkohë që policia shqiptare ka ndaluar në orët e natës 6 persona, të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar droge, mes tyre edhe 1 punonjës policie”, bëri të ditur Kreu i Policisë për Krimet e Rënda.

Përfaqësuesi italian i Interforcës bëri me dije se hetimet vijojnë dhe bashkëpunimi me vendin tonë është mjaft pozitiv.

Personat e ndaluar në Shqipëri janë: Neko Bruhamaj, 45 vjeç, Fatos Bruhamaj, 30 vjeç, Fadil Shahaj, 53 vjeç, Igli Shahaj, 22 vjeç, Sokol Lamaj (Burhamaj), 34 vjeç, si edhe është arrestuar efektivi i Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, Shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore.

Në Itali janë arrestuar 8 persona, rezidentë në shtetin fqinj: Elizer Ahmetaj, 27 vjeç, Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç, Arshi Ahmetaj, 29 vjeç, Artjon Lamaj, 29 vjeç, Kleo Lamaj, 30 vjeç, Bukurosh Këshilli, 25 vjeç, Virjon Imeraj, 32 vjeç, si edhe Vilson Lamaj, pilot i avionit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet