17 të arrestuar nga Europol, Klemend Balili ende në kërkim

Policia e Sarandës është vënë në kërkim të biznesmenit Klemend Balili, i cili është cilësuar ditët e fundit si baroni i drogës i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Kontrollet janë ushtruar në banesën e tij në fshatin Stjar të Delvinës, por nuk është gjetur policia. Megjithëse autoritetet shqiptare nuk kanë ende një urdhër-arresti ndërkombëtar ende nuk dihet se ku mund të ndodhet Balili. Pas akuzave të shpërthyera në mediat greke, autoritetet shqiptare e shkarkuan Balilin nga posti i drejtorit të Drejtorisë së Transportit në Sarandë.

Ndërkohë që nga ana tjetër për aksionin ndërkombëtar të ndërmarrë së fundmi nga policia greke, ka reaguar edhe EUROPOL, i cili bën me dije se deri më tani janë arrestuar 17 persona, 11 grekë dhe 6 shqiptarë. Europol thekson se rrjeti i trafikut të drogës është shtrirë në shkallë të gjerë. Rrjeti kishte si bazë Greqinë dhe shpërndante drogë në shumë vende evropiane, duke përfituar qindra milionë euro. Sasi të mëdha kanabisi dhe kokaine janë transportuar nga kompani transporti rrugor fillimisht në Bullgari dhe Austri dhe më pas në vende të tjera. Operacioni i gjerë policor është kryer në Greqi dhe në Belgjikë.

Sipas Europol, në Greqi janë sekuestruar 698 kg kanabis ndërsa në Belgjikë, 96.5 kg hashash. 15 persona janë arrestuar në Greqi dhe 2 të tjerë në Belgjikë. “Hetimi është në vazhdim e sipër dhe arrestime të tjera priten në të ardhmen e afërt”, thekson agjencia evropiane Europol. Agjencia bën me dije në deklaratë se ka mbështetur hetimet, duke ofruar mbështetje operative dhe ndihmë ligjore, si dhe duke kryer analizat e drogës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet