Bardhi: Kajmaku falsifikoi formularin e dekriminalizimit, institucionet heshtin

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi tha sot se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe për këtë ka heshtje nga ana e Kryeministrit dhe Prokurores së Përgjithshme.

Në një deklaratë për mediet, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi theksoi se PD ka paraqitur pesë fakte që vërtetojnë se Kajmaku ka shkelur ligjin.

“Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi në vitin 2003 për një krim që dënohet deri në 10 vjet burg. Agim Kajmaku e ka fshehur arrestimin në Formularin e Dekriminalizimit. Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sot e kësaj dite, është me masë arresti me burg në fuqi në Greqi. Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto, me proces penal të hapur në Greqi, është në kërkim kombëtar nga drejtësia greke. Agim Kajmaku ndalohet nga Ligji i Dekriminalizimit të jetë kandidat për kryetar bashkie. Për fshehjen e krimit, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe burg deri në 4 vjet”, shprehet ai.

Po ashtu Bardhi shtoi se “shqiptarët panë dje me dokumente autentike se kandidati i PS-së për Vorën, ka falsifikuar Formularin e Dekriminalizimit”.

“Shqiptarët u bënë dëshmitarë edhe të heshtjes që ka pllakosur mbi Edi Ramën, po ashtu hesht dhe Arta Marku”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet