Bashkia e Tiranës u gjen një sistemim banorëve të Unazës, Veliaj u bën thirrje: aplikoni tani!

Pas shumë debatesh dhe protesta, Bashkia ka menduar tu japë banesa sociale familjeve që preken nga prishja e banesave tek Unaza e re. Veliaj ishte sot për të parë nga afër kushtet e këtyre banesave. “Unë besoj se sot në të gjithë Tiranën ka një konsensus, që edhe Unaza të bëhet, por edhe familjet të marrin një trajtim social. Pikërisht, kjo e dyta është punë e Bashkisë së Tiranës. Pra, kemi rregulluar të gjitha apartamentet në banesat sociale këtu në zonën e Shkozës, ku ka një stacion autobusi, ku ka qendër sociale, mensë sociale, ku ka klinikë, sidomos për grupet më vulnerabël, pra, kur janë çifte të moshuarish, kur ka njerëz të sëmurë, pikërisht që stina festive t’i zërë në banesa të reja. Nga inspektimi që bëra sot jam realisht i impresionuar", tha Veliaj.

Banesat sociale në Shkozë ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për familjet që do të zhvendosen në banesat e reja. Veliaj ftoi banorët që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe që të aplikojnë pranë njësive të tyre administrative për të përfituar banesa sociale. “Në kohë rekord janë bërë gati apartamentet, janë blerë duke nisur nga frigoriferët, tek televizorët, tek çdo nevojë bazë që ka një familje. Ajo që kam parë është që këto kushte këtu janë në fakt disa herë më të mira se sa shtëpitë që po lënë, shtëpiza pa leje, barraka pa leje, ndërkohë marrin sot një ofertë shumë më të mirë se sa ajo që lanë. Fillimisht, kjo rezervohet për të gjithë familjet që kanë aplikuar në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë asnjë dokument, ndërkohë që të tjerët do marrin shpronësimin. Ftesa ime është, sipas njësive 6, 7 apo Kasharit, apo 11 aplikoni për banesa sociale”, tha ai.

Aktualisht janë 15 familje të cilat kanë aplikuar për banesat sociale dhe që do të jenë të parat që do të zhvendosen në apartamentet e reja në Shkozë. Bashkia fton të aplikojnë dhe të tjerët.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet