Borchardt për reformën zgjedhore: a do të ishte një vendim politik i mençur?

Intervistë Ambasadorit të OSBEsë në Tiranë Bernd Borchardt, në tryezën e sotme për bashkëpunimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin.

-Ambasador, opozita do të protestojë sërish më 16 mars. Cili është mesazhi juaj?

Demonstratat dhe protestat janë krejtësisht normale në një vend demokratik. Kjo është një e drejtë qytetare. Edhe unë kam protestuar në vendin tim, vite më parë. Pra, janë vetë njerëzit që vendosin nëse duan të protestojnë. Sigurisht që është e rëndësishme që protesta të jetë paqësore.

- Si e shikoni situatën në parlament kur opozita është jashtë tij dhe kandidatë nga lista e PD-së dhe e LSI-së kanë hyrë në parlament duke marrë mandatet e tyre. Është një parlament demokratik pa opozitën brenda?

Unë e dua këtë vend dhe shoh dhe dëgjoj që ky është një vendim politik që qëndron mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku dëshirojnë të shkojnë 93% e shqiptarëve.

- A mund të votohet reforma zgjedhore edhe me opozitarët e rinj që po futen në parlament?

Për miratimin e reformës zgjedhore nevojitet një shumicë e cilësuar prej 84 votash. Ende nuk e di nëse deputetët janë të gjithë në favor të saj. Do të ishte e ligjshme që të votohej, por a do të ishte një vendim politik i mençur? Reformat tuaja zgjedhore janë votuar gjithmonë me shumicë shumë të gjerë dhe ne rekomandojmë fuqimisht për dialog lidhur me reformën zgjedhore.

- Ambasador, opozita me shumë mundësi do të braktisë zgjedhjet lokale, të paktën në situatën që jemi. A është normale për OSBE-në që të zhvillohen zgjedhje lokale pa praninë e opozitës, gjë që mund të shkaktojnë përplasje dhe tensione në qendrat e votimit?

Në dijeninë time, as opozita dhe as opozita jashtëparlamentare nuk kanë vendosur ende nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore apo jo. Padyshim, ne nxisim fuqimisht pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky është veprimi i duhur në demokraci.

-Ambasador, a i nxisni personat në listë të ulen në karriget e lëna bosh nga LSI-ja dhe PD-ja në parlament?

Ky është një proces absolutisht normal. Hidhini një sy Kodit tuaj Zgjedhor. Ju ofrohet një vend dhe e keni ju në dorë ta pranoni apo jo. Sipas Kushtetutës suaj, deputeti nuk lidhet me asnjë mandat detyrues. Anëtarët e parlamentit janë, si në demokraci të tjera, të lirë. Ata u përgjigjen zgjedhësve dhe ndërgjegjes së tyre. Më pas, zgjedhësi mund të vendosë për fatin e këtyre deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet