Bushati ngushëllon familjen e shqiptarit që humbi jetën nën gërmadha

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, publikon një informacion të përditësuar mbi gjendjen e shtetasve shqiptarë në zonën e tërmetit në Itali. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij Facebok, ministri i Jashtëm Bushati shprehet: “Në vijim të ndjekjes së situatës emergjente nga ambasadorja dhe stafi i ambasadës që ndodhet në zonat e goditura nga tërmeti, jemi informuar me trishtim të thellë, se shtetasi shqiptar Erjon Toro ka humbur jetën. Gjithashtu, jemi bërë me dije se numri total i shtetasve shqiptarë të plagosur arrin në shtatë vetë”.

Në vijim Bushati bën prezent situatën, ku pohon se “Nga kontaktet që ambasada jonë në Romë po mban në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet italiane dhe shtabet e krizës, bëhet e ditur se në spitalin Gemelli të Romës ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore shtetasit shqiptarë të mëposhtëm: Xhesika Hasani, Sara Hasani, Romina Duro, Lori Duro, Hatixhe Hasanaj. Në spitalin e Rietit ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasja shqiptare me inicialet, Xh.T. Ndërsa, në spitalin e l’Aquilas ndodhet në një gjendje më të rëndë shtetasja shqiptare me inicialet, E.T”

Po ashtu, Bushati shprehet se “Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës dhe uron në shërimin e shpejtë të të plagosurve. Sa më sipër, ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë, vazhdon të jetë e angazhuar duke ndjekur hapë pas hapi në terren, si dhe në koordinim të plotë me autoritetet italiane dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë të plagosur. MPJ do të vijojë të informojë opinionin publik mbi ecurinë e situates”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet