Dajti n’Fest, pistë për hedhje me parashutë nga mali i Dajtit

Të apasionuarit pas sportit ekstrem të hedhjes me parashutë nuk ka nevojë të udhëtojnë deri në Llogara për të ushtruar pasionin e tyre. Tashmë, edhe Tirana ka një pistë të vetën të hedhjes me parashutë në malin e Dajtit, nga ku mund të fluturojnë të gjithë parashutistët profesionistë apo edhe ata që kërkojnë të provojnë adrenalinën që të jep ky lloj sporti.

Në Ditën Ndërkombëtare të Maleve, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, organizuan për dy ditë me radhë “Dajti n’Fest”, një organizim i kthyer në traditë për promovimin e turizmit dhe produkteve e zejeve të zonës, ku u përurua edhe pista e hedhjes me parashutë në malin e Dajtit.

Pjesë e aktiviteteve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe shumë qytetarë të Tiranës që kishin zgjedhur që ditën e sotme ta kalonin në “Dajti n’Fest”.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që më në fund edhe Tirana ka pistën e saj të hedhjes me parashutë. “Më vjen shumë mirë që e mbajtëm fjalën, edhe e di që kemi shumë punë për të bërë. Ky është vetëm fillimi. Sapo kemi markuar territorin për ta kthyer pastaj në një pistë profesioniste që mund të akomodojë dhe dhjetëra sportistë njëkohësisht, megjithatë fillimi i mbarë është gjysma e punës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se çdo nismë apo investim që sjell zhvillimin e sportit i shërben në radhë të parë të gjithë atyre të rinjve dhe rejave që kohën e lirë duan ta kalojnë duke u marrë me aktivitete fizike. “Ka shumë rëndësi që të gjejmë çdo mënyrë, qoftë duke u marrë me aeronautikën dhe duke fluturuar, qoftë duke u marrë me çiklizëm, qoftë me garën me makinat, qoftë me futbollin, volejbollin, basketbollin, me fushat e reja, çdo lloj arsye që e merr të riun shqiptar nga kafeneja, nga pika e bastit, nga bingo dhe e sjell në natyrë për çfarëdo lloj sporti, është një arritje dhe është një jetë që e kemi fituar dhe e kemi marr ne mbrapsht në komunitetin tonë. Ndaj, dua që të inkurajoj sa më shumë të rinjtë tanë, të gjitha shkollat, të gjitha universitet që të marrin pjesë”, tha Veliaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se nisma të tilla nxisin edhe më shumë zhvillimin e potencialit turistik, ndërsa theksoi se turizmi mbetet një prioritet për qeverinë. “Padyshim turizmi malor, turizmi i aventurës, turizmi jashtë sezonit është për ne një prioritet dhe një përpjekje fantastike që nuk mund ta bëjmë kurrë vetëm. Prandaj, jemi këtu në këtë ditë të diele për t’i dëshmuar të gjithëve që së bashku mund t’ia dalim të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Padyshim bashkëpunimi me bashkitë është themelor në këtë histori, po nuk do të mjaftonte kjo nëse nuk do të kishim me mijëra e mijëra djem e vajza të mrekullueshme që kanë sakrifikuar në këto vite, tashmë kanë të drejtën e tyre të kërkojnë më shumë nga ne, më shumë investime, organizime dhe më shumë pjesëmarrje. Prandaj vazhdojmë të këmbëngulim që turizmi i aventurës, turizmi i njerëzve, të cilët duan të shijojnë natyrën, pasi është edhe një burim shumë i mirë të ardhurash edhe financiar për ekonominë e vendit”, tha Klosi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi për këtë edhe sipërmarrësit privatë, të cilët kanë mbështetur nismat që sjellin zhvillim turistik dhe ekonomik për qytetin. Duke uruar festat, Veliaj theksoi se shumë shpejt Bashkia e Tiranës, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, por edhe zhvillimit ekonomik të zonave rurale, do të hapë tregun e gjelave të detit në Baldushk.

“Meqë janë festat dhe kemi kapur borën e parë në Dajt, dua t’iu uroj të gjithëve gëzuar festat. Shumë shpejt do të hapim tregun e gjelave jo në mes të Tiranës, por në Baldushk, aty ku është gjeli më i mirë i detit. Do të kemi shumë prodhime të fermave tona dhe inkurajimi është ky, vendi ynë është i bekuar! Kemi produkte lokale, kemi natyrë, kemi arsye për t’u marrë me sport. Nëse do t’i kalojmë festat në këtë mënyrë, edhe do inkurajojmë ekonominë lokale, ajo do të ishte lajm shumë i mirë edhe për të gjithë ata që e kalojnë të gjithë vitin në fermat apo në zonat rurale për të jetuar me ekonominë që sjell fshati”, tha Veliaj.

Dajti n’Fest ofroi për qytetarët e Tiranës gjatë kësaj fundjave mundësi pa fund argëtimi, ndërsa për banorët e zonës patën mundësi që të ekspozonin dhe të shisnin produktet e tyre agroushqimore. Muzikë, gara road-bike, hiking në një shteg të ri, hedhje me parashutë, fluturim me balonë, folk, rock climbing, ishin disa nga surprizat që organizatorët kishin menduar si mundësi argëtimi për pjesmarrësit e shumtë që pëlqejnë turizmin malor dhe sportet ekstreme.

Ndërkohë që, për banorët e zonës u organizuan panairi i agroushqimit, i zejeve dhe artizanatit, ku ata mundën të ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet