Dinamika e plotë/ Si u vodhën 7 thasët me euro në Rinas

Është identifikuar se i vrari në shkëmbimin me armë zjarri është Admir Murataj. Ky konfirmim ka ardhur nga bashkëshortja e tij, e cila identifikoi trupin e pajetë në morgun e Tiranës.

Super-grabitja ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së djeshme brenda në pistën e aeroportit të Rinasit, ku dyshohet të jenë marrë rreth 10 milionë euro, të transportuara në 7 thasë, edhe pse shuma akoma nuk bshtë përcaktuar saktë

Ngjarja e plotë

Policia u vu në ndjekje të autorëve dhe mundi të vrasë një nga grabitësit, rreth 2 kilometra larg aeroportit, në rrugën e Hurmave, pasi ata kishin marrë paratë nga 4 makina blind të transportit të parave të 4 kompanisë të ndryshme private prej të cilave, “Nazeri 2000”, “Octapus”, ” dhe Anakonda”.

Autorët e tjerë kanë mundur të largohen, ndërsa është kapur edhe një furgon me mbishkrimin të falsifikuar “Hetimi Tatimor” që autorët përdorën për të kryer grabitjen. Dhe duket se pikërisht ky furgon dhe kamuflimi i grabitësve të ketë qenë “mburoja” e tyre për të hyrë në aeroport.

Policia tha se grabitësit kanë hyrë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Ata dyshohet të kenë pasur informacion për vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë që do të niseshin nga Shqipëria me avion për në Vjenë, ndërkohë që dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të brendshëm në aeroport.

Autorët kanë mundur të shkojnë deri në barkun e avionit me pasagjerë që nisej për në Vjenë, aty ku në pjesën e bagazheve kanë bërë grabitjen teksa paratë kalonin nga makinat e blinduara për në avion. Mundën të dalin sërish nga aeroporti ndërsa janë ndjekur më tej nga forcat e policisë të cilave u janë përgjigjur me armë.

Nga përplasja mbeti i vrarë një ngra grabitësit, ndërsa të tjerët vrapuan në këmbë duke u larguar bashkë me thasët me para ku i priste një tjetër automjet. Makinën e arratisë e dogën më vonë pranë zonës së Bathores, ndërsa në duart e ekspertëve është furgoni me mbishkrimin fals “Hetimi Tatimor”, brenda të cilit mund të gjendet një pasuri provash, gjurmë gishtërinj dhe armët e sekuestruara.

Në ndjekje të tyre u vunë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të policisë kufitare të Rinasit. Ka pasur shkëmbim zjarri me policinë dhe gjatë këtij shkëmbimi zjarri pati një viktimë. Autori që mbeti i vdekur kishte një armë kallashnikov me vete, tre krehëra, një granatë dhe tritol.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësi.

Planet e Muratajt në grabitje

Grabitësi që mbeti i vrarë nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit në tentativën për arrati, nuk ishte tullac, siç ai u pa në një foto ku ai shfaqej në një rrugë dytësore 2 kilometra larg pistës së avionit në aeroportin e Rinasit ku u grabitën rreth 10 milionë euro. Grabitësi ishte jo vetëm i kamufluar me veshje komando, i pajisur me të gjitha mjetet, armë dha pranga, por edhe me paruke tullaci. Është pikërisht parukja që grabitësi ka përdorur. Ai është pikasur nga kamerat e sigurisë edhe në pistën e avionit teksa grabit paratë në pjesën ku futen në barkun e avionit bagazhet.

Ngjitur me të është edhe një tjetër grabitës, që ndryshe nga tullaci me paruke, ai mban në kokë dhe me armën që ja drejton punonjësve të sigurisë në aeroport. Kjo ishte një taktikë e përdorur prej tij për t’i shpëtuar identifikimit dhe një “kamuflazh” për policinë, e cila do të vihej në kërkim të një tullaci. Por grabitja shkoi keq dhe ai humbi jetën, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë u larguan me thasët me para.

Ndërkohë, nga përmasa e maskës, mendohet që grabitësi të ketë maskuar të gjithë fytyrën e tij. Policia tha se personi ende i paidentifikuar mund të jetë rreth 30 vjeç, ndërsa maska që ai ka vënë në gjithë fytyrën e tij e tregon një burrë rreth të 40-ave.

Dëshmia e qytetarit që u përplas me grabitësit e Rinasit

U zbardh edhe dëshmia e një qytetari i cili është hasur me grabitësit e parave në aeroportin e Rinasit. I ka pikasur ata teksa digjnin automjetin në zonën e Bathores. Ka pasur një bisedë me ta: “Përse e digjni makinën?”

Por autorët, të cilët dëshmitari nuk kishte dijeni se ishin grabitësit e parave në pistën e avionëve në Rinas, i janë kthyer duke e kërcënuar: “Mos flit asgjë ose të vrasim”.

Sipas dëshmisë së tij, grabitësit më tej janë larguar me biçikletë ndërsa kishin me vete edhe disa çanta. Bëhet fjalë për paratë që ata grabitën, që edhe pse jo zyrtarisht, dyshohet të jenë 10 milionë euro.

Gjendet makina e djegur e autorëve pranë Kamzës

Një automjet i djegur është gjetur pranë zonës së Kamzës. Dyshohet t’i përkasë grabitësve të rreth 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit. Një nga grabitësit u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë brenda një furgoni me të cilën hynë dhe dolën nga aeroporti. Por më tej, autorët e mbetur gjallë dyshohet të kenë lëvizur me një tjetër automjet, të cilin më tej e kanë djegur pranë Kamzës për të humbur gjurmët.

Automjeti i djegur është gjetur konkretisht pranë një gurorerje në Bathore, pranë një lumi.

Shtyhet fluturimi me të cilin do tranportoheshin paratë e vjedhura (FOTO)

Pas grabitjes së ndodhur në Rinas, është shtyrë edhe fluturimi me të cilin do të transportoheshin paratë e vjedhura rreth orës 15 të pasdites së sotme. Avioni do të udhëtonte drejt Vjenës në orën 15:05.

Detajet e grabitjes

Grabitja ndodhi në pistën e aeroportit të Rinasit. Katër persona dyshohet të jenë grabitësit, ndërsa mësohet se ata kanë qenë me një furgon me mbishkrimin Hetimi Tatimor, dhe ky mendohet të ketë qenë kamuflimi i tyre përmes të cilit kanë mundur të futen lehtësisht deri në pistën e aeroportit. Aty kanë marrë paratë teksa do të kalonin në makinën e blinduar për transportin e tyre, e cila është e firmës “Nazeri”.

Pas grabitjes, autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërkohë që një automjet që dyshohet t’i përkasë autorëve, mendohet të jetë duke u djegur në Shkallën e Tujanit. /Pamfleti/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet