Doriana Metollari për gazetën Koha.mk në Maqedoni: proçesi eurointegrues me shumë inate e pak kauza

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor kemi parti të vjetra të cilat përmes punësime në institucionet e shtetit kanë krijuar klientelën e tyre, të cilën e angazhojnë gjatë fushatave elektorale. A

Në krijimin parakushteve për një proçes të suksesshëm eurointegrues, rol të qenësishëm kanë të gjithë faktorët që e përbëjnë jetën e një vendi. Për rrjedhojë, opozita paraqet “mushkëri” vitale në një shoqëri, përmes së cilës bëhet qarkullimi i ideve e diskurseve vepruese për inicimin e ndryshimeve të domosdoshme. Mirëpo, jo gjithmonë aksionet opozitare zhvillohen paqësisht. Kjo sidomos kohët e fundit po prek Shqipërinë e Serbinë. Palët vetëm akuzohen me njëra-tjetrën (PD-PS në Shqipëri, Vuçiç – opozita në Serbi), por asnjërës palë nuk i intereson e vërteta dhe e ardhmja e përbashkët, duan vetëm të rrëzojnë njëri – tjetrin nga qeveria për të marrë pushtetin, por pa një program të mirëfilltë që do të sillte ndryshimin. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve evropiane, duke folur për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

“Dhunë, urrejtje, agresivitet, me pak fjalë, kjo klasë politike nuk ka standard, nuk pranon gabimet, nuk transformohet. Po na mbajnë peng. Duhet te rrisim presionin sidomos ndaj institucioneve të vendit. Pse Bashkimi Evropian duhet të na pranojë në këtë stad? Ne nuk mund të eksportojmë këtë pasivitet dhe ngurtësim të institucioneve të drejtësisë brenda BE-së dhe as nuk mund të presim që BE të bëjë drejtësinë e institucioneve tona, sepse atëherë do të ishim protektorat”, deklaroi për gazetën KOHA, analistja nga Tirana, Doriana Metollari. Sipas saj, shqiptarët nuk mund të qëndrojnë peng i një shumice që mbyll sytë para fakteve, edhe pse janë vetëm përgjime dhe jo prova, ndërkohë që vërejmë influencë të frikshme te krimit në politike. Nga ana tjetër, eksperti i së drejtës evropiane, Muhamer Pajaziti thekson se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kemi parti të vjetra të cilat përmes punësime në institucionet e shtetit kanë krijuar klientelën e tyre, të cilën e angazhojnë gjatë fushatave elektorale.

“Këto parti, si në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi është vështirë të rrëzohen nga froni. Ato vazhdojnë të qeverisin duke u kujdesur për interesat personale dhe të klaneve të ngushta. Këto parti kanë depërtuar kudo në kulturë, art, biznese, universitete, me një fjalë kontrollojnë gjithçka. E mira është se në Kosovë dhe Serbi kemi një opozitë të fuqishme, e cila sipas sondazheve të ardhshme pritet ti sfidoj fuqishëm këto subjekte politike që janë në pushtet për më shumë se 20 vite. Në Maqedoni kemi një parti e cila për një kohë të gjatë ka qenë në opozitë dhe tani përballen me shumë probleme nga mbetjet e regjimit të kaluar, të cilët janë të pranishëm në të gjitha institucionet e shtetit. Kryeministri Zoran Zaev dhe partia që drejton LSDM ka ndërmarrë disa politika të mira socio-ekonomike, por qëndron dobët me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike”, theksoi Pajaziti.

Ai potencon se në kampin shqiptar është e kundërta, kemi një parti e cila qeverisë me “të mirat dhe të këqijat” e saj për dy dekada me radhë. “Kjo nuk i bën mirë demokracisë. Ndërsa, partitë opozitare shqiptare janë të përçara dhe në gjumë të thellë. Ato, shumicën e reagimeve i bëjnë me kumtesa, ndërsa nuk i përdorin instrumentet tjera demokratike, si demonstratat dhe protestat paqësore. Në Shqipëri kemi dy parti më të mëdha PS-në dhe PD-në që kanë qeverisur keq për vite me radhë duke i varfëruar qytetarët. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është virusi i këtij vendi, i cili me gjithë ato resurse natyrore e njerëzore, vazhdon të ketë standard të ulët jetese. Shqipëria aktualisht përballet me mungesë të një alternative të re, të një subjekti të ri politik që do të përfshinte masën intelektuale, e cila është anashkaluar plotësisht nga dy partitë që thuajse qeverisin me rrotacion”, vlerëson Pajaziti. Nga ana tjetër, analisti nga Prishtina, Ernest Luma thotë se në të gjitha vendet e Ballkanit, pothuaj është e njëjta klimë politike, në relacionet pushtet-opozitë dhe anasjelltas. “Dominon mentalitet i përafërt në politikëbërje dhe në qasjet reciproke ndërmjet grupimeve politike. Kudo është evidente tendenca e ndërtimit laboratorik te kauzave jo krejt natyrale politike, për ti kundër vënë apo argumentim të punës së tyre. Ekziston vullnet i fshehur te secili prej grupimeve politike, pozitë e opozitë, qe të jenë kooperativë dhe të dëshmueshëm në po të njëjtën masë te vartësit e mëdhenj politikë, kryesisht në Bruksel e Uashington”, shprehet Luma për gazetën KOHA.

Ndërkohë qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me interesin më të madh po ndjekin gjithçka që ndodh në Bruksel, pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian javën e kaluar. Qytetarët dhe opinioni janë skeptik se Maqedonia e Veriut mund të merr datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në Samitin e qershorit, por nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ndodhë deri në fund të vitit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. gjovalini  e Premte 7 Qershor, 2019

    Analize e qellueme ,por fatkeqsisht pa hy ne Evrope rremujaxhinjte e te korruptuemit do livadhisin ketu ndaj edhe Evropa duhet ta dije kte sepse me kto shtyrje afatesh ktyne rrugaqve te politikes tone vetem sa u rriten veshet