Drejtori i transporteve në Sarandë kërkohet për drogë nga policia greke

Policia greke ka akuzuar Klement Balilin, kreun e Drejtorisë së shërbimit të transportit rrugor në Sarandë, si personin që ka organizuar linjën e drogës nga Shqipëria në Greqi. Kapja e një skafi prej 700 kg kanabis në brigjet e Zakinthos në Greqi, çoi në zbulimin e një rrjeti droge, që për autoritetet e shtetit fqinj organizohej nga Balili. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, BIRN publikoi një dokument të policisë greke, ku përmendej emri i Balilit, si personi që urdhëroi trafikun e drogës si dhe arrestimin e dy skafistëve, Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj.

Fillimisht ishin mediat greke të cilat publikuan të dhënat e para për një zyrtar shqiptar të përfshirë në rrjetin e drogës.

Gazeta ‘Kathimerini’, shkruan se personi me iniciale K.B 44 vjeç, është emëruar nga qeveria në 2014 për të mbikëqyrur çështjet e transportit në qytetin e Sarandës. E njëjta media citon se me zyrtarin shqiptar bashkëpunonte ngushtë 46 vjeçari grek G.A. Nga ana e policisë shqiptare nuk u pohua nëse ishte i vërtetë ky fakt, duke u shprehur se po realizohet një operacion ndërkombëtar antidroge. Kanë qënë po mediat greke të cilat vazhduan me detaje të tjera duke përmendur faktin se Balili nuk arrestohet në Shqipëri, për shkak të lidhjeve të ngushta me politikën. Reagimi i partisë demokratike ka qënë i menjëhershëm. Pasi kanë plotësuar të dhënat e policisë greke, ata kanë akuzuar ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje të drejtpërdrejta me Klement Balilin. Ndërkohë Balili e ka quajtur shpifje të opozitës aludimin se ai është përfshirë në rrjet droge, duke shtuar se do ta çojë këtë çështje në gjyq.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet