Duka propozon ndryshime ligjore dhe formalizimin e klubeve të sportit

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka kërkon ndryshime në ligjin për sportin të cilat do të sillnin zhvillim dhe rritje të cilësisë së sportit në vend dhe futbollit në veçanti.

Duke folur në takimin mes FSHF dhe qeverisë shqiptare me temë: “Siguri-Reformim-Modernizim”, Duka tha se, nevojitet ndërmarrja e nismave që besojmë se do t’i japin një zhvillim tjetër sportit shqiptar, futbollit në veçanti. Futbolli ka mjaft probleme që mund të zgjidhen me ndryshime ligjore.

"Është nevoja e formalizimit të klubeve të futbollit. Nevojiten lehtësi fiskale për ata që investojnë në sport. TVSH zero për investimet në sport dhe për materialet sportive. Lehtësira në ligjin e sponsorizimit. Terrenet sportive t’i kalojnë në pronësi klubeve sportive pa shpërblim. Dhe në çdo investim për sportin qeveria të marrë pjesë me 50%. Nëse një ditë në Shqipëri do të ketë kompani bastesh, atëherë një pjesë e fitimeve duhet të kalojnë për sportin, sepse në fund të fundit ata përdorin produktin tonë. Kjo do të sillet fuqizim ekonomik të klubeve të futbollit”.

Duke folur për rastin e dhunës në kampionatin e futbollit, Duka tha se, “ne kemi probleme dhe me dhunën, me goditjen ndaj arbitrave apo zyrtarëve deri në evadim fushe apo veprime të dhunshme. Mbase këto kërkojnë ndryshime në Kodin Penal dhe agresorët duhet të ndjejnë peshën e masave ndaluese. Sot e kemi të pamundur dhe klubet e futbollit e kanë të pamundur financimin e kompanive private për sigurimin e rendit dhe sigurisë në stadiume”, tha Duka.

“Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e futbollit, që lartëson emrin e një vendi në mbarë botën dhe nëse menaxhohet mirë sjellë të ardhura të njëjta me industritë e tjera. Stadiumet moderne do të rrisnin automatikisht pjesëmarrjen e spektatorëve dhe të ardhurat e klubeve. Problemet e sportit shqiptar janë të shoqërisë dhe si të tilla duhen trajtuar”, tha Duka.

Kreu i FSHF gjithashtu kërkoi që Prokuroria të hetojë rastet e trukimeve të ndeshjeve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet