Emrat e 7 të arrestuarve tek Teatri/ Mes tyre edhe kreu i Vetëvendosje

7 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi një ditë më parë u përleshën me uniformat blu në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sipas policisë janë shoqëruar në komisariat 64 persona që morën pjesë në protestën e dhunshme.

Të arrestuarit janë Kasteriot Qemaj, Sokol Ndoj, Romeo Lila, Endrit Mertiri, Burim Tafilica dhe Edjon Xhoxhaj si dhe koordinatori i Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi. Të 7-të personat e arrestuar akuzohen për “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

Blutë e kryeqytetit shprehen se gjatë përleshjeve fizike 7 efektivë të patrullës janë lënduar dhe kanë marrë ndihmën e shpejt në spital. Gjithashtu 21 persona u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

Ndërsa për 36 persona të tjerë që ishin të shoqëruar në ambientet e Komisariateve u vendosen gjoba në bazë të aktit normative kundër COVID-19. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të vijojë edhe sot në orën 16:30 protestat duke kërkuar që të rindërtohet siç ishte. Protesta e tyre do të mbështetet edhe nga PD dhe LSI. Aleanca pritet të depozitojë edhe dy padi në SPAK kundër ministrit Lleshaj, kryepolicit Ardi Veliu dhe ndaj kryebashkiakut Veliaj për akuzën “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

Ndërsa sot, fadromat e IKMT kane vijuar shkatërrimin e asaj çka ka mbetur nga Teatri Kombëtar si dhe grumbullimin e inerteve. IKMT ka kërkuar mbështetjen e policisë së shtetit për rrethimin e zonës pasi ekziston ende frika për përplasje me protestuesit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet