Erdhi ora, në Shkurt vetingu largon të korruptuarit

Më në fund erdhi ora. Shkurti do të jetë një muaj i rëndësishëm për Reformën në drejtësi në vend. Kjo është paralajmëruar nga prokurorit amerikan John Leonardo. Ai është një nga 8 këshilltarët ndërkombëtarë të organeve të vettingut në vendin tonë. Në një intervistë për mediat amerikane, ai shprehet se do të jetë muaji shkurt kur do të jepen efektet e para të vetingut.

“Rezultatet e para do të nisin në muajin shkurt. Llogaritet se procesi do të zgjasë katër vjet. Është e vështirë të imagjinosh sesi do të jetë kur të nisin seancat dëgjimore, por do të jetë shumë intensive. Dhomat e seancave janë të vogla, mund të marrin vetëm 6-7 vetë, por flitet se mund të ketë lidhje video”. Problemi më i madh që ka Shqipëria sot, sipas Leonardo-s, është korrupsioni i shfrenuar që shtrihet në të gjithë nivelet dhe sektorët.

“Ata kanë një korrupsion shumë të gjerë në vend, në polici, te gjykatësit dhe prokurorët. Në Ballkan në përgjithësi kjo është një problem i madh. Vendet që kanë qenë prapa “Perdes së Hekurt’ duket se e kanë të gjitha këtë problem”. Sipas Leonardos, gjyqtarët duhet të bëjnë deklarime financiare për 10 vitet e fundit për pasuritë e tyre por rezulton se ata pretendojnë se jetojnë në vende shumë më modeste kur në të vërtetë jetojnë në vende shumë më luksoze.

Eksperti amerikan ka dhënë detaje nga puna e ndërkombëtarëve për vendin tonë në lidhje me vetingun. Ai është shprehur se janë 8 persona që u japin këshilla trupave të vetingut mbi çështje ligjore dhe teknikat e investigimit, në strukturat organizative dhe interpretime të ligjit të vetingut. Dy janë nga Holanda, pastaj nga Italia, Belgjika, Kroacia, Suedia e Bullgaria.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet