Fillon faza e dytë pas tërmetit, vlerësimi i dëmeve pas katastrofës

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, theksoi sot se BE do të ndihmojë për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Drejtuesin e Ekipit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Peter Glerum, ambasadori Soreca theksoi se: “Tani kemi kaluar në një fazë të dytë të reagimit dhe ndihmës sonë: vlerësimi pas katastrofës së dëmeve. Inxhinierë të strukturës, të ardhur nga 6 vende të ndryshme, janë në terren duke inspektuar ndërtesat e dëmtuara. Kjo po vazhdon, siç e kam monitoruar dje në Durrës, duke u dhënë përparësi shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës thelbësore. Kjo fazë do të zgjasë disa ditë. Të gjitha fushat shqetësuese do të trajtohen në mënyrë sistematike nga ekipe të përbashkëta të ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë”, tha Soreca. Ekipi i BE-së për Mbrojtjen Civile, vijoi Soreca, është duke punuar ngushtësisht me autoritetet vendore dhe donatorët për të konsoliduar vlerësimin e nevojave me përparësi për ndihmën në natyrë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet