Fitorja për gratë dhe vajzat duhet bërë realitet. AXHENDA POST 2015

Ne organizatat anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar ju bëjmë thirrje qeverive të vendeve tona dhe të gjitha qeverive që ta zbatojnë këtë axhendë dhe të

TIRANE - Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin krahas të gjitha organizatave të tjera anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar nga 172 vende të botës përshëndet angazhimin e qeverive të botës për t’ju garantuar vajzave dhe grave një jetë pa diskriminim si dhe për t’ju siguruar qasje në shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat riprodhuese deri në vitin 2030.

Në datën 3 gusht me përfundimin e negociatave ndërqeveritare për kornizën e zhvillimit post - 2015, qeveritë kanë finalizuar kuadrin e ri të zhvillimit "Transformimi i botës tonë: Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm" .Pritet që kjo marrëveshje përfundimtare të miratohet zyrtarisht në Samitin e Kombeve të Bashkuara mbi Axjendën post 2015 të Zhvillimit të Qëndrueshëm në datat 25-27 shtator 2015.

Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm do të jenë baza orientuese e zhvillimit të ardhshëm të mbarë botës përfshirë edhe Shqipërinë. Ne si organizatë me mbështetjen edhe të UNFPA-së kemi realizuar takime me rrjetet e OJF-ve për t’i informuar me procesin e hartimit të këtyre objektivave si dhe për të diskutuar mbi sugjerimet që ne si shoqëri civile duhet t’i bëjmë qeverisë sonë për përcaktimin e objektivave sa më konkrete dhe të realizueshme për vendin pas miratimit të objektivave globale deri në mars të vitit 2015.

Në korrik të vitit 2014 Shtetet bënë një marrëveshje për hartimin e një dokumenti me një sërë objektivash për të ecur përpara pas Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Qëllimi i këtyre objektivave të emërtuara Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm është orientimi i përpjekjeve globale për t’ju garantuar njerëzve në mbarë botën një jetë më të mirë . Pasi dokumenti me objektivat të jenë finalizuar, shtetet do të punojnë në drejtim të përmbushjes së tyre brenda 15 viteve të ardhshme, nga 2016 në 2030.

OKB-ja organizoi ngritjen e një Grupi Pune të Hapur, të përbërë nga përfaqësues të shteteve, të cilët u takuan 13 herë gjatë vitit 2014. I shoqëruar nga një ekip ekspertësh teknik të fushës së arsimit, shëndetësisë e disa fushave të tjera, ky grup diskutoi çështjet më të ngutshme me të cilat përballen njerëzit në mbarë botën dhe që pengojnë përmirësimit të jetës së tyre . Mbi bazën e këtyre diskutimeve, grupi hartoi objektivat dhe treguesit të cilat fokusohen në një shumëllojshmëri temash si psh. zhdukja e varfërisë ekstreme dhe urisë, dhe garantimi i të drejtave të njeriut , sigurimi i paqes, barazisë gjinore , si dhe ruajtja e mjedisit.

Dokumenti përfundimtar përgatitur nga Grupi i Punës i Hapur përmban 17 objektiva dhe 169 tregues, por diskutimi mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për 15 vitet e ardhshme nuk ka përfunduar . Mbi këtë bazë shtetet do të përcaktojnë objektivat dhe treguesit për vendin e tyre prandaj dhe është e rëndësishme që mbarë komuniteti t’i njohë ato dhe të kontribuojë për përcaktimin sa më real të objektivave për vendin.

Por edhe pse këto Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm përbëjnë një hap të madh përpara, ato duhen të bëhen vepra. Nëse duam që kjo axhendë e re të ndryshojë dhe shpëtojë jetë njerëzish–kjo duhet bërë realitet.

Ne organizatat anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar ju bëjmë thirrje qeverive të vendeve tona dhe të gjitha qeverive që ta zbatojnë këtë axhendë dhe të sigurojnë fonde të mjaftueshme për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe për t’i bërë realitet objektivat e kësaj axhende.

Axhenda është një fitore për gratë dhe vajza. Kjo e bën atë një angazhim për t'i dhënë fund varfërisë dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të planetit, si dhe për të përcaktuar synime ambicioze për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Mbi bazën e këtyre objektivave çdo vend duhet të marrë masa për të reduktuar vdekshmërinë amtare, të zhdukë HIV-in, dhunën kundër grave dhe praktikat e dëmshme tradicionale, dhe të sigurojë qasje në mbulimin Universal Shëndetësor, qasje në shërbime shëndetësore seksuale dhe riprodhuese dhe përmbushjen e të drejtave të tyre riprodhuese. Kjo do të mundësojë që 225 milion gra dhe vajza të cilat nuk kanë qasje ndaj kontraceptivëve modern të marrin vendime në lidhje me familjet e tyre, trupin e tyre dhe të ardhmen e tyre . Kjo do të sjellë edhe dhënien fund të martesave të hershme pasi realisht çdo vit 15 milion vajza në botë martohen para moshës 18 vjeç.

Ne gjithashtu mirëpresim riafirmimin e Programit të Veprimit të Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin, të Platformës për Veprim të Pekinit dhe të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm (" Rio + 20 " ) , duke përfshirë konferencat që pasuan ato, pasi këto janë dokumentet themelore mbi të cilat është ndërtuar axhenda. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut gjithashtu përmendet në mënyrë specifike si bazë e axhendës së re, e cila forcon më tej fokusin me në qendër njerëzit.

Megjithatë, Axhenda e re nuk arrin të përcaktojë mekanizma specifikë të llogaridhënies për të nxitur zbatimin e plotë të saj dhe për t’ju siguruar qytetarëve mjetet për t’i kërkuar qeverive të japin llogari për veprimet e tyre. Po ashtu roli thelbësor i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në planifikimin, zbatimin dhe llogaridhënies nuk është përfshirë mjaftueshëm në këtë Axhendë.

Ndër fitoret specifike në axhendën 2030 të zhvillimit të qëndrueshëm për të cilat kjo Federatë ka avokuar me sukses janë:

• Përfshirja e një Objektivi të veçantë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave , me tregues specifikë për eliminimin e diskriminimit dhe dhunës kundër grave dhe vajzave , dhe dhënies fund të të martesës së detyruar dhe gjymtimi gjenital femëror. Ky objektiv përmban gjithashtu një tregues për sigurimin e qasjes universale për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe të drejtat siç është rënë dakord në përputhje me Programin e Veprimit të Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin dhe Platformën e Pekinit për Veprim dhe rezolutat e konferencave të rishikimit të tyre .

• Axhenda përmban një objektiv të veçantë për garantimin e një jete të shëndetshme dhe promovimin e mirëqenies. Kjo përbën angazhim për sigurimin e qasjes universale në shërbimet e kujdesit të shëndetit seksual dhe riprodhues, duke përfshirë planifikimin familjar, informimin dhe edukimin, si dhe integrimin e shëndetit riprodhues në strategjitë dhe programet kombëtare, si dhe uljen e raportit global të vdekshmërisë së nënave në më pak se 70 për 100,000 lindje të gjalla , dhe zhdukjen e epidemisë së HIV-it .

.

• Në deklaratën e kësaj Axhende theksohet rëndësia e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe vajzave, si një kontribut vendimtar për të përparuar në të gjitha objektivat dhe treguesit. Po ashtu nënvizohet roli themelor i të drejtave të njeriut dhe përgjegjësia e shteteve për të punuar që të përmbushin të drejtat e njeriut për të gjithë. //publiredaksional//

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. ana  e Diel 6 Shtator, 2015

    bukur