Krijohet zyra e kimikateve pranë institucioneve të mjedisit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “na pret një punë e madhe përpara që ka të bëjë me miratimin në parlament për ligjin e kimikateve, pastaj do fillojmë të diskutojmë me biznesin për rregullat e ashpra, që duhet të kemi për përdorimin e tyre”.

Në aktivitetin e organizuar për situatën e kimikateve në Shqipëri, në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze të Kimikateve (KEMI), ministri Klosi theksoi se “duhen diskutuar një e nga problematikat që ne kemi evidentuar së bashku me ekspertët suedezë për sa i përket mënyrës se si do të përqaset në kuadër të procesit të screaming apo procesit të verifikimit para hapjes së negociatave me BE”.

“Do të krijohet për herë të parë zyra e kimikateve pranë institucioneve të mjedisit, do të krijohet një sistem i menaxhimit të rrezikut dhe për këtë po punojmë me ekspertët e fushës të BE-së dhe qeverisë suedeze. Do të bëjmë aktivitete publike për të paktën 22 problematika që kemi evidentuar në këtë proces për ti pasur në një axhendë dhe për të kuptuar sa përpjekje per te bere jo vetëm ligje, por Shqipëria është në një pozicion pozitiv, të realizimit të ligjeve në kuadër të BE, kur vjen puna për të trajtuar mjedisin kemi shumë përpjekje për të bërë”, theksoi Klosi.

Ministri Klosi tha se “do të krijohet një sistem i menaxhimit të rrezikut që vijnë nga kimikatet, do të krijojmë për herë të parë Regjistrin Kombëtar për Kimikatet. Ne kemi një sistem jo të mirë të menaxhimit të mjedisit në Shqipëri. Nuk është një punë që e bën dot vetëm Ministria dhe pushteti lokal për cilësinë e ujit dhe të ajrit duke luftuar kimikatet. Është e pamundur nëse nuk kemi një aleancë me qytetarët. Tashmë futemi në një fazë të re me gjërat që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës dhe në këtë aspekt, lufta e përdorimit pa kriter të kimikateve është një përpjekje që duhet ta bëjmë përsëri qytetarët. me shoqërinë civile, me ekspertët e fushës”.

Sipas tij, në aspektin e kimikateve që ne e kemi marrë si temë të parë diskutimi, ka nevojë për disa hapa për hartimin e zbatimit të legjislacionit kombëtar të harmonizuar me atë të BE, ka nevojë për një plan të përgjithshëm zbatimi të një sërë rregullash të legjislacionit europian në këtë fushë.

“Ne duhet të bëjmë një axhendë të plotë pune si do ta implementojmë këtë direktivë në ligjet shqiptare, na duhet një plan i mirëfillte komunikimi me industrinë dhe grupet e ndryshme të shoqërisë që kanë të bëjnë me fushën e kimikateve dhe me mënyrën që ata të përfshihen në këtë proces”-, u shpreh Klosi.

Ministri Klosi tha se “nëse duam të shkojmë në Europë nuk mund të shkojmë vetëm me ligje, por edhe me transformimin e institucioneve, por edhe me botëkuptimin e vetë komunitetit të bizneseve për të realizuar një sërë masazh që kanë kosto”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet