Gazetaria në kohë moderne. Nura, të emancipojmë njerëzit, askush nuk ka kohë të lexojë

Flet për Hermesnews gazetari, opinionisti dhe moderatori i Tèt a Tèt, A1 report, Artur Nura. Berisha kishte dhjetë truproje, Rama ka dhjetë fotografë

HN: Si ka evoluar gazetaria shqiptare post – komuniste ?

Besoj se ka evoluar me një shpejtësi marramendëse, duke kaluar edhe standartet e nevojshme. Si të gjitha revolucionet i është dashur të krijojë praktikat dhe pastaj të mendojë për rregullat. Pa dyshim që ka kosto dhe problematika. Unë e shoh me sy pozitiv të ardhmen, ka qëndrime të ndryshe të cilat po rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet medias dhe opinionit publik, e pse jo me institucionet.

HN: Flet për rregullatorë. Çfarë rregullatorësh ?

Praktika perëndimore. Psh Kodi i Etikës së gazetarit është bërë në mënyrë vullnetare nga dy shoqata. Ky është një standard i kudondodhur në perëndim. U bë pas një eksperience goxha të gjatë gazetareske dhe sigurisht që jo të gjithë gazetarët e njohin kodin e etikës. Po jap një opinion, nuk besoj se janë më shumë se 200. Është një kod i mirë etike, i marrë nga praktikat perëndimore dhe i adoptuar në rastin shqiptar.

HN: Cili është ai standard gazetarie që është i respektuar më pak ?

Besoj se gazetaria virtuale është ajo që e respekton më pak sepse është më pak e kontrolluar dhe me pak rregulla në rastin shqiptar. Në shoqëritë e zhvilluara dhe gazetaria gjithëpjesëmarrëse ka rregullat e saj. Këtu nuk ka rregulla. Unë jam një prej atyre që ka ideuar një emision me telefonata direkte dhe për të vendosur rregulla më është dashur goxha punë. Demokracia është një grup rregullash dhe jo një kaos pa kufi.

HN: Kur flisni për thyerje të kodit të etikes, keni parasysh ndonjë rast të veçantë ?

Mjafton të hedhësh sytë në gazetat e përditshme dhe shikon që mungon kodi i etikës, mjafton të hedhesh sytë në emisionet televizive dhe shikon që mungon kodi i etikës. Gazetari në momente të caktuara bëhet prokuror dhe gjykatës, apo avokat dhe nuk qëndron në rolin e moderatorit. Gazetari është moderator, përkthyes opinionesh dhe realitetesh. Unë vë re tek kolegët e mi që ky standard i moderatorit është i cënuar.

HN: Keni eksperience në shumë fusha te gazetarisë. Cila është më e vështira ?

Emisioni që sapo përmenda është ideuar nga unë dhe ka ardhur si një nevojë profesionale. Çdo njeri që shkruan, kërkon të përcjellë një mesazh, të shkojë sa më gjerë në opinionin publik. Unë dua të shkoj tek çdo qytetar pa diferenca formati, pozicioni, feje, ideje, apo partie politike, ka të tjerë që i drejtohen vetëm pjesës më intelektuale. Unë pretendoj të komunikoj më çdo cep të shoqërisë shqiptare. Gazetaria televizive është më e vështira dhe më rrezultativja. Parimi bazë është që gazetaria duhet të përcjellë emancipim. Jo të gjithë e dinë dhe e bëjnë këtë gjë. Shumica e shqiptarëve nuk lexon dot, nuk ka kohë të lexojë sepse është gjithë ditën në punë dhe nuk arrin të emancipohet aq sa ka nevojë zhvillimi. Unë kam mundësi të lexoj Kadarenë apo një artikullin të Doriana Metollarit që përcjell një mesazh pozitiv për shoqërinë, apo të një kolegu tjetër a shkrimtari. Mundohem që thelbin e këtij artikulli a libri t'a konvertoj në mënyrë divulgative tek njerëzit e zakonshëm nëpërmjet emisionit tim dhe u jap atyre mesazhin që ka Kadareja në një libër, apo Doriana në një shkrim që kur të shkojnë nëpër kutitë e votimit kanë një informacion më shumë.

HN: Ku është lajmi sot Artur ?

Mediat e shkruara tentojnë gjithmonë në botën virtuale. Në mëngjes lajmi është ezauruar, por tashmë të gjitha gazetat kanë sitet e tyre të cilët kanë publikime çdo pesë minuta. Lajmi në gazetën print, është i ezauruar. Vetëm ndonjëra punon në mënyrë profesionale, mundohet të luajë më një skup apo me ndonjë lajm që nuk është i dhënë. Mediat elektronike, televizionet kryesisht janë më efiçentë në raport me të tjerat.

HN: Të mos harrojmë Facebook...

Po është një mjet shumë i rëndësishëm Facebooku dhe ai nuk ka censurë. Ne të gjithë kemi politika redaksionale që duhet t'i respektojmë. Fb ka vetëm një politikë, jep lajmin, pastaj aty ka ujë, ka dhe limonatë, flirte. Por lajmi në fb përcillet në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Edhe vetë Kryeministri, apo politikanët europiane nëpërmjet twitterit e përcjell lajmin. Mua në inbox lajmi nga zyra e kryeministrit më vjen një orë me vonesë, pasi e kam marrë në Twitter, nga vetë Kryeministri.

HN: Zyrat institucionale, punojnë nëpërmjet një regjie të brendshme, që të siguron të le të themi një paketë të plotë të lajmit.

Po një lloj censure moderne kjo,…

HN: Një risi pozitive...

Nuk e shof risi. Nuk ka qenë më përpara, ka ardhur në Shqipëri me anën e departamentit të Edi Ramës, i cili është një prej politikanëve që kujdeset më shumë për marketingun, sesa për ruajtjen e trupit të tij. Nëse Kryeministri i shkruar, Sali Berisha, mbante dhjetë truproje, Edi Rama mban 10 fotografë dhe punon më PR e tij në mënyrë të shkëlqyer. Ai ka një truproje zonjë, e bashkë me të dhjetë fotografë të cilët i shkojnë para prapa. Ato foto që nuk janë të mira i heq, të tjerat i publikon në rrjete sociale dhe na i sjellin për publikim ne. Kjo nuk të jep liri, sepse nga regjia qëndrore ti e merr fjalën gati.

HN: Ka ndryshuar dhe mënyra e raportimit të lajmit nga vetë gazetarët...

Gazetari duhet vetëm të raportojë realitetin dhe jo të bëhet gjykatës.

HN: Po ju keni ndonje ëmër ?

Janë më shumicë nuk është se janë një apo dy. Shiko, në e quajmë veten të gjithë analistë, ndërsa unë në një studio kam thënë se jam opinionist. Gazetaria mund të japë një opinion në studio dhe jo analizë. Sipas meje janë pesë analistë të mirëfilltë në Shqipëri. Një opinion analisti e jep sot dhe qëndron dhe pas pesë vitesh. Sa nga këta analistët tanë i kanë shkrimet e pesë viteve më përpara që mund të botohen si aktualë dhe sot ? Për mua deri në pesë prej tyre jo më shumë.

HN: Ka debate politikë me analistë që kthehen në show...

Janë më të ndjekurit për fat të keq, por unë në emision mundohem të ruaj arsyen. Të ftuarit e mi e kanë vlerësuar këtë gjë.

HN: Dmth i censuron...

Unë i moderoj nuk censuroj kurrë.

HN: Meqë folëm për median online. “Gazeta e vogël” a është më ?

Jo, për arsye financash, por unë kam përqasja.com që për shkaqe objektive nuk është e updatuar. Me perqasjen kam arritur deri në 2000 vizita në ditë. Gazetaria virtuale pa rrjete sociale është e vdekur.

HN: Shumë media të shkruara shesin më pak se 2000 kopie në ditë.

Shumë më pak. Numërohen me gishtat e njërës dorë ato që shesin më shumë se 2000.

HN: E ardhmja e gazetarise ?

Ajo virtuale, por duhen rregulla. Duket që një komunitet gazetarësh të organizohen dhe të ndërtojnë një organizëm për mbështetjen e gazetarisë virtuale. Të jetë shoqata e gazetarëve të gazetarisë online e cila të vendosë rregulla dhe standarte.

Nuk ka nevojë që t'i krijojë por të marrë ato perëndimore. Të ndërtohet një dokument bazë, që njëherë filloi, por ngeci e nuk u mirëprit. Deputetja ka bërë një premtim që t'i rikthehet kësaj iniciative. Duhen vendosur disa rregulla. Rregulli është baza.

HN: Jam dakord, por duhet të na kërkohet dhe ne mendimi...

Krejtësisht dakord, ne duhet të organizohemi dhe të jemi insitucion.

HN: A ndjehesh i lirë ?

Unë kam një politikë redaksionale dhe respektoj kodin e etikës.

HN: A janë të pasur gazetarët ?

Më përjashtime që paguhen shumë mirë, pjesa më e madhe janë të varfër. Janë të keqpaguar. Ka që paguhen mirë, apo shumë mirë, unë se kuptoj pse. Ka emisione shumë të ndjekura që janë bërë vitrine shitblerje. Shet kengë, interpretim teatral, një individ që nuk përfaqëson asgjë nga pikëpamja, emancipunese. Ai nuk është gazetar, ai shet problemin. Ne jemi e gjithë të shpërndarë në gazetari të ndryshme në mënyrën individualiste kritike shqiptare, por duhet gjetur mënyra të organizohemi.

Author
Doriana Metollari

Doriana Metollari, është gazetare dhe Editore e platformes informative online Hermesnews.al, themeluar në Itali në vitin 2006. Ka menaxhuar dhe disa gazeta të tjera online po në Itali, një prej tyre dhe në bashkëpunimin me kompaninë 'Edizioni Vivere' në Le Marche. Ajo ka drejtuar po ashtu projekte për Bashkimin Europian dhe për OKBnë në fushën e të drejtave, kulturës, teknologjisë dhe gazetarisë. Libri i saj i parë 'G-online' është një manual bazë për komunikimin online, gazetarinë dhe mediat sociale.

Shkruaj një koment

0 Komentet