Gjendet kufoma e një 47 vjeçareje në lumin Drin, vuante nga depresioni

Trupi i pajetë i një femre është gjetur paraditen e djeshme në lumin Drin. Mësohet se lajmërimin në polici, e ka bërë një çoban i zonës së Zall Dardhës. Çobani dibran nuk mendon se kjo kufomë mund të jetë e banorëve të zonës.

Kufoma është e seksit femër, e mbërthyer në një trung peme në mes të lumit Drin. Trupi është pjesërisht i dekompozuar. Mësohet se femra i përket moshës 30 vjeçe, ka të veshur një bluze të bardhë, pantallona të zeza dhe çorape me lule.

Nga analizat e para, nuk janë evidentuar shenja dhune në trup, megjithatë janë pikasur dëmtime të shumta, të shkaktuara gjatë lëvizjes së trupit në rrjedhën e lumit. Kufoma është dërguar në morgun e spitalit të Peshkopisë për hetime të mëtejshme. Në morg janë paraqitur qytetarë të shumtë, por asnjëri nuk ka bërë të mundur identifikimin e viktimës.

Ndërkohë ditën e sotme, mësohet se është bërë i mundur identifikimi i kufomës. Ajo është Marjeta Cera 47 vjeçe, nga fshati Trokaj i rrethit Dibër, banuese në Tiranë. Familjarët e saj e kanë identifikuar, si dhe kanë shtuar se ajo vuante nga depresioni. Ekspertiza mjeko - ligjore ka konstatuar se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e vetmbytjes në lumë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet