Gjonaj: Asnjë i infektuar në burgje, 600 të dënuar dërgohen përkohësisht në shtëpi

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se qeveria ka miratuar një ditë më parë Aktin Normativ, që do i japi mundësi 600 të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që u ka mbetur dhe një periudhë deri në 3 vite burgim, ose 5 vite për ata që janë mbi moshën 60 vjeç dhe kanë sëmundje kronike, për të shkuar në shtëpi përkohësisht.

Ministrja Gjonaj, tha se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur punonjësit e burgjeve dhe vetë të dënuarit, ndërsa ka shtuar se deri më tani nuk ka asnjë të prekur nga të dënuarit me COVID 19.

“Në këtë luftë ku ka hyrë e mbarë bota, një vëmendje e veçantë u kushtohet njerëzve tanë, që shërbejnë në çdo sektor kritik, ku përfshihet edhe sistemi i burgjeve. 4200 punonjës janë pjesë e këtij shërbimi, dhe çdo ditë bëjnë një sakrificë të veçantë për të ruajtur veten, punonjësit, familjen dhe të tjerët. Kemi marrë të gjitha masat e diktuara nga plani i luftës për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës, duke shtuar shërbimet shëndetësore parandaluese, duke rritur kujdesin mjekësor për personat që vuajnë nga sëmundje kronike, duke shtuar kontrollin dhe pajisjet me mjete parandaluese për personelin e IEPV-ve për parandalimin e përhapjes së COVID 19”,- tha Gjonaj.

“Takimet me familjarë janë pezulluar plotësisht deri sa të përfundoj kjo situatë dhe janë zëvendësuar me komunikimin online, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe familjarëve të tyre. Janë marrë masat për krijimin e infrastrukturës së posaçme në qendrën spitalore të burgjeve, për rastet e dyshuara apo të identifikuara me COVID 19, nëse do të ketë. Deri tani nuk kemi pasur asnjë rast dhe masat e marra kanë funksionuar”,- thekson Gjonaj.

“Por duke parë çfarë ka ndodhur në vendet e tjera, jemi përgatitur për çdo rast të mundshëm problematikë. Dje qeveria mori një masë të rëndësishme dhe të arsyeshëm. Miratuam aktin normativ për lirimin me qëndrim të përkohshëm në shtëpi të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët dhe që vuajnë nga sëmundje që krijojnë terren për virusin COVID 19”-, tha ministrja.

“Ministria e Drejtësisë kreu një analizë të detajuar të situatës shëndetësore në burgje, duke parë masat e marra nga kjo situatë e pazakontë në Europë dhe më tej. Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i ministrave miratoi me akt normativ për të karantinuar në shtëpinë e tyre të gjithë ata persona që u ka mbetur nga dënimi i dhënë dhe tre vite burgim.Dhe të gjithë ata persona të dënuar me vendim të formës së prerë që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, sot u ka mbetur deri në pesë vite burgim, por që duhet të jenë baraz ose mbi moshën 60-vjeç dhe që të kenë sëmundje kronike që i bënë më vulnerabël nga COVID 19 dhe që vërtetohet sipas legjislacionit në Shqipëri. Të dyja kategoritë përfitojnë vetëm nëse nuk janë dënuar për vepra penale të rrezikshmërisë së lartë, terrorizëm, krimet e rënda..etj”,- tha Gjonaj.

“Dua të bëjë shumë të qartë se të gjithë të dënuarit, duhet ti nënshtrohen rregullave ligjore strikte, duke depozituar nga një deklaratë si nga familjarët si nga ato vetë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi. Nga ky akt normativ përfitojnë rreth 600 të dënuar. Kjo masë e marrë sot nga qeveria, do të lehtësoj mbrojtjen e shëndetit në burgje. Për qeverinë është shumë e rëndësishme jeta e çdo njeriu”, tha Gjonaj.

Gjonaj bëri thirrje për kujdes dhe respektimit të rregullave të higjienës dhe radhës në Pazar. “Ne jemi në punë, detyra juaj është të mos dilni nga shtëpia nëse nuk është e domosdoshme dhe mbroni të moshuarit. Lani duart, ruani radhën, mbi 1 metër distancë në Pazar. Të jeni rigoroz në zbatimin e rregullave sa i takon atyre që shkojnë në punë. Ne e kemi në dorë fitoren e kësaj lufte nëse zbatojmë rregullat, vetëm sëbashku mund dhe do t’ja dalim”, tha ministrja Gjonaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet