Hapen aplikimet për maturantët, kriteret për të fituar vizën

Ambasada italiane në Shqipëri hap procedurën e aplikimeve për të gjithë studentët, që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e përtej Adriatikut

Ata kanë afat deri më 24 korrik për të bërë gati dokumentet dhe kryer të gjithë procedurën, e cila nis me pararegjistrimin dhe finalizohet me vizën studimore. Përpos dëshirës së të gjithë maturantëve për të studiuar në universitetet jashtë vendit, shifrat ndër vite në rritje kanë treguar që një e treta e gjimnazistëve lakmojnë Italinë për shkak të afërsisë gjeografike dhe njohjes së gjuhës.

Pas rumunëve, studentët shqiptarë kryesojnë listën e të rinjve të huaj në universitetet italiane. Mijëra prej tyre e kanë përcaktuar që në krye të herës, në Formularin A1, dëshirën për t’u formuar në një nga universitetet e huaja. Ata do të shihen me përparësi nga Qendra e Shërbimeve Arsimore për plotësimin e dokumenteve brenda afateve, që u kërkojnë ambasadat përkatëse.

KRITERET DHE PROCEDURA. Njohja e vërtetuar gjuhësore e italishtes, dokumentet e shkollës dhe një garanci bankare janë kushtet, të cilat një maturant që lakmon Italinë për studime, duhet t’i ketë apriori përpara se t’i futet rrugës së gjatë të aplikimit. Procesi nis me fazën e pararegjistrimit, deri më 24 korrik, ku pasi dorëzohen një seri dokumentesh, caktohet takimi i parë pranë ambasadës italiane.

Në një zarf të tejdukshëm, aplikantit i nevojiten dokumentet që përcaktojnë gjeneralitetet e tij që nga certifikata e lindjes, pasaporta dhe fotografinë e autentifikuar me anë të një formulari. Po ashtu, diploma e maturës dhe certifikata origjinale (në mungesë të tij, një vërtetim notash të përkthyer) janë pjesë e listës së dokumenteve, që duhen bërë gati sa më parë.

Diçka që duhet pasur parasysh është që, çdo dokument ambasada e kërkon të fotokopjuar në të dyja faqet bashkë me vulat apostile. Kalimi me sukses i intervistës hap rrugën e fazës së dytë dhe vendimtare, aplikimi për vizë. Për këtë, ambasada do të ketë njoftime në një moment të dytë.

NJOHJA E GJUHËS. Universiteti për të huajt e Perugias (CELI), Sienas, Roma 3, Shoqata “Dante Aligeri” ose instituti Italian i Kulturës janë pesë institucionet zyrtare të njohura nga ambasada italiane, si kusht për të rinjtë që do të pranohen në një nga universitetet italiane. Maturantët duhet të zgjedhin një nga qendrat e lartpërmendura për të provuar njohuritë. Përjashtim bëjnë degët me numër të mbyllur, ku njohja e gjuhës italiane konsiderohet e mirëqenë në rast se kalojnë me sukses provimin e pranimit në universitet. /panorama/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet