Humb jetën ushtarakja shqiptare gjatë misionit të NATO-s në Letoni

Një ushtarake shqiptare ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontingjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Në një deklaratë për shtyp shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku theksoi se “grupi i kontingjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre sot në orën 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Nga shpërthimi është plagosur dhe më pas ka humbur jetën Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj, ndërsa të plagosur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj”.

“Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve”, – tha Kollçaku.

Sipas informacioneve të deritanishme Major Tanushi dhe Rreshter Kapaj janë nën kujdesin maksimal të mjekëve, në bazën Camp Adazi, në Letoni.

“Për ngjarjen e sotme jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet më të larta letoneze dhe të aleatëve tanë në mision. Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj”, – nënvizoi Kollçaku.

Njëherësh, tha ai, në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura siguroj të gjithë familjarët e efektivëve tanë në Letoni se po ndjekim me vëmendjen maksimale ngjarjen që ka ndodhur.

“Në këtë moment të vështirë jemi pranë çdo efektivi të Forcës së Armatosur në Letoni dhe kudo ku Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e misionit”, – u shpreh Kollçaku.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet