I lashë shtëpinë për ta ruajtur, nipi ma lëshoi me qira: si duhet të veproj tani? - Av. Phd. Sabina Meta

(letër)

E dashur Avokate,

kam një pronë timen, një apartament 2+1 të cilin ia kam lënë në ruajtje dhe përdorim nipit tim, për arsye se unë do shkoja jashtë shtetit. Kur erdha pas disa kohësh shkoj në banesën time dhe pashë se aty kishte persona të tjerë. Atyre i sqarova faktin se banesa që përdorej nga ata, ishte shtëpia ime dhe unë isha pronarja e saj, por nga ana e tyre më thanë që ato kishin kontaktuar me Gencin (nipin tim) dhe mua nuk më njihnin fare. Kam tentuar të vihem në kontakt me Gencin, por ai është jashtë. Unë nuk di si të veproj. Jam drejtuar në polici, por më kanë thënë se duhet të shkoj në gjykatë.

Av. Sabina Meta: E dashur zonjë, e lexova me vëmendje letrën tuaj, ndonëse ka disa paqartësi, pasi nuk shpjegoni sa duhet situatën. Së pari duhet të sqaroni nëse nipit tuaj i keni dhënë tagrin e përdorimit të sendit në mirëbesim, gjatë kohës që ju nuk keni qenë këtu, apo e keni pajisur me ndonjë prokurë, duke i dhënë të drejta të caktuara mbi sendin? Së dyti, duhet të sqaroni më mirë situatën me personat që ndodhen në shtëpinë tuaj, duke ditur në çfarë cilësie ndodhen ato aty, në cilësinë e përdoruesit, qiramarrësit? Me kaq informacion nuk di nëse nipi juaj mund të ketë lëshuar shtëpinë me qira (me apo pa kontratë), dhe mund të ketë marrë të ardhura nga shfrytëzimi i sendit tuaj, në mënyrë të përkohëshme, apo mund të ketë kontraktuar me ata persona si pronar dhe jo në cilësinë e poseduesit të pronës suaj. Pavarësisht nga kjo, ju jeni pronarja e ligjshme e sendit dhe jeni e pajisur me një çertifikatë pronësie, konform ligjit. Ju keni të drejtën që në çdo kohë ti drejtoheni gjykatës për lirimin dhe dorëzimin e shtëpisë, pasi një e drejtë e tillë ju përket me ligj, konkretisht: "pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve." Pavarësisht kushteve në të cilën personat e tretë ndodhen në banesë, posedues të ligjshem, apo të paligjshem, me mirëbesim apo keqbesim, në cilësinë e kontraktuesve apo jo, ju si pronare e ligjshme keni të drejtë ti drejtoheni Gjykatës për të kërkuar sendin tuaj.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet