IKSHPK: Ju lutemi me shpirt, qëndroni në shtëpi!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) u është drejtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës me një lutje që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin rekomandimet e tyre për të parandaluar përhapjen më të madhe të koronavirusit.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës! Ju lutemi me shpirt: Qëndroni në shtëpi pranë të afërmve tuaj dhe ndiqni rekomandimet tona sa më shumë që të keni mundësi! Bashkatdhetarë të nderuar që keni ardhur në atdhe! E di që keni mall për atdhe dhe keni ardhur të vizitoni familjen dhe të dashurit tuaj! Kësaj radhe na ndihmoni duke qëndruar në shtëpi pranë të afërmve tuaj”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së”, thuhet në thirrjen e IKSHP-së.

Specialistët e shëndetit publik përsërisin rekomandimet ndaj qytetarëve që të mos ketë shtrëngime duarsh, të mos përqafoheni, të qëndroni në distancë së paku dy metra larg, të lahen duart sa më shpesh, të ajrosen shtëpitë dhe të kujdeseni për higjienën personale, ndërsa kur të teshtini të mbuloni gojën me gropëzën e bërrylit ose me facoletë.

Për bashkatdhetarët që akoma nuk kanë ardhur në Kosovë, IKSHPK kërkon nga ata që ta shtyjnë vizitën pasi kështu do të ndihmojnë më tepër.

“Nëse keni vendosur patjetër të vini në atdhe keni obligim të detyruar të qëndroni 14 ditë të vetëkarantinuar! Nëse keni ardhur tashmë në atdhe, ju lutem qëndroni në vetëkarantinë dhe bëni gjestin patriotik: përmbajuni rregullave të vetëkarantinës”, thuhet në komunikatën e IKSHP.

IKSHP njofton qytetarët se “nëse keni shenja dhe simptoma të dyshimta në lidhje me COVID-19 telefononi në qendrën e thirrjeve 03820080800 për informata të nevojshme!”

Një ditë më parë Kosova shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik. Ndërsa numri i të prekurve me koronavirus COVID-19 ka shkuar në 13 persona. /KosovaPress/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet