Infermierët testohen në shkurt, ja kush mund të përfitojë pagë 2.5 milionë lekë

Testimi për infermierët do të zhvillohet javën e parë të shkurtit. Kështu apikimet online për punë për bluzat e bardha do të mbyllen me 1 shkurt. Kjo për arsye se të gjithë ata që duan të zënë një vend pune duhet fillimisht të ‘kalojnë’ në portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Janë shpallur 420 vende vakante pune për infermierë dhe për të gjithë ata që e synojnë një vend të tillë duhet patjetër të kalojnë fazat e përcaktuara në portal. Drejtorja e Përgjithshme për Politikat dhe Zhvillimin Shëndetësor, Merita Xhafaj u bëri thirrje kandidatëve të aplikojnë sa më shpejt. Ja kush janë katër hapat për aplikim në portal, sipas sqarimit të zonjës Xhafaj:

“Aktualisht ky portal është i hapur dhe pret aplikime deri më datën 1 shkurt. Janë 4 faza për të cilat secili që dëshiron të aplikojë në këtë portal duhet të kalojë: së pari, është pjesa e regjistrimit, së dyti, duhet të hidhet i gjithë dokumentacioni i kërkuar në këtë portal, duhet të kërkohen vendet vakante, më qëllim që të gjithë të informohen cilat janë vendet vakante dhe pastaj të bëjnë aplikimin. Në këtë portal do të publikohen se cilët janë përzgjedhur për të kaluar në fazën e dytë të testimit. Tek faza e dytë e testimit do të bëhet një testim me shkrim. Kriteret mbi të cilat përzgjidhen, së pari pikët janë të bazuara në njohjen e legjislacionit për kujdesin shëndetësor nga ana e infermierëve, po kështu vlerësohet shumë etika në komunikim me pacientin. Nga ana tjetër, pas pjesës së parë, ku jepen 20 pikë, 50 pikë të tjera jepen për kujdesin infermieror bazë dhe atë spitalor”.

Ndërkohë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastriliu, bëri sërish thirje për të gjithë ata mjekë të cilët kanë dëshirë të punojnë në spitalet rajonale me një pagë ekstra. Përmes një njoftimi për mediat ajo bëri të ditur të gjitha kategoritë që do të përfitojnë pagën 2.5 milionë lekë nëse ofrojnë shërbim në rrethe. Sipas MSH, specialitetet për të cilat kërkohet punësimi i mjekëve, sipas nevojave të spitaleve janë: kirurgji, anestezi reanimacion, kardiologji, obstetrikë-gjinekologji, neurologji, pediatri, imazheri, mjekësi interne, ortopedi-traumatologji.

“Të gjithë ata që janë të gatshëm të punojnë në këto kushte, bazuar në vendimin e marrë për masën e bonusit deri në 250 mijë lekë plus pagën e mjekut, të paraqesin kërkesën e tyre në adresën e-mail: info@shendetesia.gov.al brenda datës 01.02.2018”, shkruhet gjithashtu në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kontrata do të bëhet për perudhën kohore 6 muaj deri në 1 vit dhe mund të rinovohet sërish. Në mbledhjen e fundit, qeveria mori vendimin për të rritur pagesën e bonusit për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë në spitalet ku ka mungesa të mjekëve. Nga 1 milion lekë pagesë në muaj, masa e bonusit do të rritet deri në 2.5 milionë lekë të vjetra, plus rrogës, sipas specialiteteve, për të plotësuar në këtë mënyrë nevojat me mjekë specialistë dhe për të ofruar shërbimin sa më afër qytetarëve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet