Intervista, Mirela Arqimandriti. Rruga e mundimshme e grave shqiptare në familje dhe punë. Prespektiva e një feministeje

Besoni se tashmë ja ka arritur qëllimit Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim" në misionin dhe qëllimet që i ka vënë vetes, gjatë këtyre viteve. Flasim dhe për bashkëpunimin me institucionet shtetërore dhe private ?

Qëndra “Aleancës Gjinore për Zhvillim” ka arritur shumë qëllime gjatë periudhës prej 20 vitesh, që nga krijimi i saj. Ne si organizatë jo qeveritare funksionojmë në bazë të planeve tona strategjike, që kanë qenë gjithmonë 5 vjeçare. Nëpërmjet tyre jemi përpjekur të arrijmë objektivat specifike duke ndihmuar të realizojmë misionin tone. Kemi qenë organizata e parë që kemi prezantuar çështjet gjinore në Shqipëri dhe kemi shpërndarë njohuri rreth tyre përmes trajnimeve e aktiviteteve të ndryshme. Misioni ynë i dedikohet promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grave dhe ndërgjegjësimit të atyre vetë për të drejtat e tyre. Sot falë punës së përkushtuar të dhjetra personave që kanë punuar pranë organizatës, mund të themi që kemi arritur rezultate të mira. Sidoqoftë kontributi përmes ekspertizës tonë nuk do të ishte i plotë pa partnerët tanë. Ata janë në radhë të parë donatorët e huaj që na kanë besuar projekte të mëdha, organizatat e tjera kombëtare apo ndërkombëtare, institucionet publike dhe private etj. Suksesi ynë mbetet te respekti ndaj partnerëve dhe bashkëpunëtorëve në çdo hap që kemi hedhur.

A mund të përmendni disa prej arritjeve tuaja ?

Në vitin 1998 – 1999, vit i cili përkon edhe me anagzhimin tim konkret në organizatë mu besua koordinimi i grupit të punës që punonte për Kodin e Familjes, i cili duhej ndryshuar. Grupi i juristëve punoi me përkushtim për ta përshtatur Kodin e Familjes sipas sistemit të ri demokratik ku Shqipëria po zhvillohej. Më tej realizuam një sërë rekomandimesh dhe deri ligjesh konkrete në bashkëpunim me organizata të tjera që mbronin të drejtat e grave. Kështu mund të përmendim Ligjin për Shëndetin Riprodhues, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2002, punë e udhëhequr nga Qendra për Popullsinë dhe Zhvillimin, të cilat i hapën rrugën zgjedhjes së lirë të gruas për abortin e fëmijës dhe kryerjen e tij në kushte spitalore, fekondimit artificial, etj. etj. Më pas kontribuam për hartimin, miratimin e më pas zabtimin e Ligjit për Masa ndaj Dhunës në Marëdhëniet Familjare (2006), dhe Ligjin për Barazinë Gjinore (2008). Asnjë nga këto ligje nuk ka qenë I lehtë për tu miratuar dhe pranuar në shoqërinë maskiliste vendimmarrëse Shqiptare. Edhe sot pas kaq shumë vitesh në fuqi këto ligje hasin vështirësi në zbatim. Kam parasysh këtu sa shumë punë u desh që kuota gjinore e parashikuar në Ligjin për Barazinë Gjinore të gjente vend në Kodin Elektoral. Akoma dhe sot kuota gjinore nuk është përfshirë si duhet në Kodin Elektoral. Sidoqoftë organizatat e grave kanë akoma punë për të berë për të përmirësuar statusin e gruas Shqiptare në shoqëri përmes ligjeve. Reforma në Drejtësi krijon mundësi të reja për të ndërhyrë si psh te Kodi i Familjes apo në ligje të tjera të rëndësishme për të bërë të detyrueshme ndryshimet që do të ndihmonin promovimin e barazisë gjinore.

A mund të na thoni ndonjë nen i cili mund të rishikohet brenda kodit të familjes ?

Kodi i Familjes është riparë dhe ndryshimet e fundit kanë hyrë në fuqi, në mos gaboj, në vitin 2012. Sidoqoftë ka shumë nene që duhet të rishikohen në Kodin e Familjes, duke filluar që nga martesa në moshë të hershme e vajzave, e cila është një çështje me të cilën abuzohet në gjykatat tona. Në nenin 7 të Kodit të Familjes thuhet se “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”. Në paragrafin e dytë të po këtij neni thuhet “Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe”. Kjo është një pikë e cila le vend për abuzime nga ana e gjykatësve, pasi ata në bazë të një kërkese të veçantë nga prindërit, lejojnë martesa në moshë më të hershme. Ky është një problem që e kemi konstatuar së fundmi dhe duam ta thellojmë si çështje, sepse mendojme se ka gjykatës që nuk e vrasin mendjen gjatë në lidhje me vajzat, moshën e tyre etj. e për rrjedhojë vendimet e tyre mund të sjellin situate abuzimi për vajza e përshira në këto vendime, të moshave poshtë 18 vjeç. Kjo vendimmarje mund të rrezikojë seriozisht shëndetin mendor e riproshues të vajzave apo të verë në rezik jetën e tyre. Pavaresisht se është e shkruar në Kodin e Familjes në fuqi mosha 18 vjeçare për t’u martuar, ne duam që kjo moshë të vendoset si afat i panegociueshëm për martesën, me përjashtim të rasteve të shtatëzanive të padëshiruara. Sidqoftë edhe në këtë rast martesat nuk duhet të lejohen nën moshën 16 vjeç dhe të mos jetë vetëm gjykatësi përmes kërkesës së familjarëve ai që vendos fatin e një vajze apo gruaje për martesën e saj.

Në çfarë niveli janë sot të drejtat e grave ?

Pas ndryshimit të sistemeve emancipimi i grave shqiptare në familje e komunitet ka ardhur duke u përkeqësuar. Vetë gratë shqiptare janë të emancipuara në përgjithësi. Familjet shqiptare përpiqen ti arsimojnë vajzat dhe këtë e tregon shifra e lartë rreth 60 % vajza e të diplomuarve shqiptare. Megjithatë kemi raste fatkeqe kur vajzat largohen herët nga bankat e shkollës me pretekste të ndryshme. Këtë ne nuk duhet ta lejojmë të ndodhë, dhe si organizata jonë edhe të tjera përpiqen për ndërgjegjësimin e tyre edhe në zonat më të thella. Ka shumë vajza të cilat janë aktive në jetën kulturore, artistike e shoqërore, por edhe që lëvizin jashtë vendit. Kemi dhe ekstremin tjetër të vajzave rurale, të cilat ndodhen në ato zona ku mungojnë dhe rrugët automobilistike. Megjithatë këto familje po zhvendosen nga ato zona dhe po vijnë në qytet. Megjithë lëvizjeve urbane e të migracionit vajzat shqiptare janë të rrezikuara nga izolimi apo nga presioni i familjes për të braktisur shkollën, si dhe janë të rrezkuara nga martesat e hershme. Martesat e hershme shpesh janë të rregulluara nga familja dhe akoma kemi raste kur vajzat “shiten “ në familjen e burrave, të cilët shpesh janë më të mëdhenj në moshë. Martesat përfudojnë në familje patriarkale ku për shkaqe të ndryshme, vajzat janë të rrezikuara nga trafikimi, dhuna në familje,puna e rëndë, moskontroll I shëndetit riprodhues. Vetëm shifrat e larta të dhunës në familje të viteve të fundit tregojnë situatat e vështira me të cilat përballen vajzat e gratë shqiptare. Nga ana tjetër janë po gratë ato që kujdesen për gatimin, për edukimin e fëmijëve, për shkollimin, mbajtjen e personave të moshës së tretë apo menaxhimin e atyre pak të ardhurave për familjet e tyre. Shpesh këto gra megjithëse kryejnë gjithë këto punë, ende nuk e kanë të qartë se duhet të respektohen nga bashkëshortët e tyre. Gjithashtu meshkujt e tjerë të cilët jetojnë nën të njëtën çati si vjehrri, kunati, xhaxhai, etj shpesh përbuzin dhe nëpërkëmbin gratë e vajzat e familjes duke dy e trefishuar dramën e jetesës e cila sjell pasoja të rënda përfshirë shëndetin mendor të grave e vajzave të abuzuara.

A janë të diskriminuara femrat përsa i përket pagesës në punë në krahasim me meshkujt ?

Në vitin 2012, organizata jonë ka realizuar një studim kërkimor në lidhje me pabarazinë gjinore në pagë. Nga studimi rezultoi se gratë shqiptare paguhen rreth 17 % më pak sesa burrat.Ne mendojmë se sot pabarazia gjinore në pagë është më e madhe se më parë. Për fat të keq të gjitha studimet që kryhen nga organizatat joqeveritare duhet të mbështeten me fonde nga donatorët dhe kështu që ne nuk e kemi luksin të përditësojmë të dhënat tona. INSTAT është një institucion që sjell të dhëna të përvitshme në lidhje me statusin e gruas në shoqërinë Shqiptare. Vitet e fundit INSTAT ka përfshirë të dhëna në lidhje me pabarazinë gjinore në pagë. Fatkeqësisht këto të dhëna nuk tregojnë realitetin Shqiptar, pasi metodologjia e INSTAT nuk bazohet në shifrat e verteta të pagave në tregun e punës në Shqipëri. INSTAT I merr të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve, siç deklarohen nga punëdhënësit, por ne të gjithë e dimë nivelin e Informalitetit në Shqipëri, në masën 40 -50 %, i pranuar edhe nga Qeveria Shqiptare. Pra e thënë ndryshe punëdhnësit rrallë here deklarojnë pagën reale të punonjëse. Ata deklarojnë pagën minimale për pjesën më të madhe të punonjësve të tyre, e cila në Shqipëri është rreth 22000 leke. Për pasojë shifrat e INSTAT-it në lidhje me pabarazinë gjinore në pagë më mirë të mos përfshihen në studimin e përvitshëm “Femrat e Meshkujt në Shqipëri” sesa janë aty të pavërteta.Për më tepër që pabarazia gjinore në pagë në ndërrmarrjet e përbashkëta me të huaj, kanë diferenca në pagë deri në 30 – 40 % për të njëtën punë.

Jemi në situatë shumë diskriminuese për sektorin fason. Çfarë sugjeron ?

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, me mbështetjen e Olof Palme International, përmes fondeve të Qeverisë Suedeze ka realizuar një studim dhe një sërë aktivitetesh të tjera përfshirë një diskutim publik në lidhje me të drejtat e grave në tregun e punës, me një focus të veçantë gratë të cilat punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve të ashtuquajtura “Fasoneri” në Shqipëri. Të dhëna dekurajuese dolën nga takimet me gra të cilat punojnë në këtë sektor, të cilat përbëjnë rreth 95 % të punonjësve në këtë sektor. Ato punojnë në kushte të vështira, me material helmuese, me norma të larta ditore, punë të papaguar jashtë orarit, punojnë ditëve të pushimit dhe me një pagë nën nivelin e pagës minimale në Shqipëri. Të dhënat shtetërore dhe ato që vijnë nga vetë sektori janë kontradiktore si për numrin e punonjëseve në këtë industri edhe për numrin e ndërrmarrjeve. Keto ndërrmarrje janë sigurisht mundësi e mirë punësimi, por mbi to duhet të ushtrohet kontroll serioz nga Inspektoriati i Punës dhe kontrolli duhet të jetë i pakorruptueshëm për sa i përket kushteve të punës dhe respektimit të Kodit të Punës. Shqipëria nuk mund të jetë një vend ku punonjësit të trajtohen si skllevër. Paga minimale në Shqipëri duhet të rritet dhe ajo duhet të merret nga çdo punonjës. Gjithashtu vendet e punës duhet të jenë të denja dhe të mbrojtura nga rreziqe si zjarri. Paga e punonjësve duhet të jetë e denjë dhe të përmbushë detyrimet e rekomanduara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në Gjenevë,e cila përcakton disa kushte në lidhje me punën e denjë. Aktualisht situata është e rëndë, gratë në këto vende pune, në 50% të rasteve nuk e marrin pagen minimale, punojnë në kushte higjieno - sanitare jo te mira, në mjedise ma ajër të kondicionuar, si dhe ka raportime për ngacmime seksuale në vendin e punës.

A ka ndonjë ndryshim ndërmjet fasonerisë shqiptare dhe asaj të huaj ?

Unë kam vizituar disa ndërrmarrje në Shqipëri ku prodhohen tekstile e këpucë. Disa prej tyre kanë kushte pune shumë të mira siç mund të përmendim Fabrikën e këpucëve “Mici” në Tiranë apo Fabrika e veshmbathjeve MADISH në Shkodër. Nga këto ndërrmarrje duhet të marrin shembull të tjerët. Këtu ka mjaft punë për sindikatat të cilat duhet të punojnë më shumë në lidhje me kërkesat për punë të denjë të punonjëve që përfaqësojnë. Ndërrmarrjet që ofrojnë punë të denjë në Shqipëri numërohen me gishta. Në lidhje me vendet e tjera, situata është pothuaj e njëjtë në Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë. Mendohet se të njëjtat firma Italiane, sepse pronarët Italianë dominojnë këtë industri operojnë në rajonin tonë. Sipas studimeve të realizuara në disa vende të botës rajoni ynë paguhet më pak për të njëtën punë edhe se në Kinë.

Gjatë këtyre viteve të ekzistencës të Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, cilat kanë qenë arritjet tuaja më të mëdha ?

Ne kemi punuar në shumë drejtime, me gra dhe vajza të shtresave të ndryshme sociale dhe ekonomike, duke filluar që nga gra që punojnë në fusha, fabrika, pa punë, mjeke, mësuese, kryetare bashkie, këshilltare bashkie, parlamentare etj.. Mendojmë që kemi bërë punë të mira me gjithëkënd që kemi takuar e përfshirë në aktivitetet tona. Qendra jonë njihet në vend dhe në rajon për aktivitetin e rëndësishëm që kryen. Një arritje e madhe për tu shënuar është kontributi ynë në të gjitha ligjet dhe strategjitë që janë bërë në Shqipëri për promovimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave. Ne njihemi gjithashtu për kontributin për promovimin e çështjeve të barazisë gjinore në shtresa të ndryshme shqiptarësh duke i trajnuar për të kuptuar rëndësinë e çështjeve gjinore. Së fundmi kemi dhëne kontribut për rritur ndërgjegjësimin e punonjësve bashkiakë në lidhje me rëndësinë e buxhetimit gjinor. Një përvojë e veçantë e mundësuar në sajë të mbështetjes financiare të UNwomen në Shqipëri. Pothuajse të gjitha aktivitetet i kemi pasur të sukseshme. Së fundmi jemi krenarë që arritëm të hapnim bibliotekën e parë feministe në Shqipëri, në dhjetor të 2015-ës, e cila ka rreth 3 mijë libra në lidhje me feminismin, barazinë gjinore, shendetin riprodhues,etj. Kjo bibliotekë po katalogohet përmes një programi online dhe është gati për tu perdorur nga studentë, studiues, akademikë, etj.

Ju keni mbaruar për fizike dhe i keni dedikuar jetën tuaj të drejtave të gruas. Pse kjo zgjedhje ?

Unë kam mbaruar fizikë në 1990 dhe kam punuar që në fillim atje ku më caktuan në Rubik. Nuk ja kam përtuar ndonjëherë punës me tënë të drejtën. Më pas mora pjesë në disa nga demostratat e studentëve. Në fakt shpirtin për aktivizëm e kam pasur të hershëm, pasi kam qenë nismëtare e shumë aktiviteve të ndryshme. Profesionin e ushtrova rreth 4 vite e më pas me ndryshimet demokratike u mora ca vite me biznesin e familjes. Më tej në vitin 1998, pasi më tërhoqi vëmendjen në gazetë një lajmërim pune nga Qendra e Gruas, ky është emri që organizata jonë ka patur më parë, aplikova. Në fakt nuk e fitova vendin e punës, por fitova të drejtën të punoja vullnetarisht. Dhe kështu filloi rrugëtimi im i pakthyeshëm me angazhime në organizatat e shoqërisë civile shqiptare. Ky udhëtim sigurisht nuk ka qenë i lehtë, pasi ndërkohë unë isha prind dhe doja të përditësoja edhe njohuritë e mia akademike. Kështu krahas punës vazhdova Masterin për Administrim Biznesi dhe sot jam duke kryer studimet e doktoraturës. Ndërkohë bëj shumë udhëtime brenda dhe jashtë vendit, shkruaj projekte, organizoj evente të ndryshme. Kjo është një punë e mrekullueshme e cila të njeh me shumë njerëz të mirë.

Kur e keni marrë drejtimin e Aleancës gjinore ?

Drejtimin e mora në 2009ën. Kjo organizatë ka një statut i cili është dokument i rëndësishëm pune. Organizata jonë është themeluar nga njerëz me vizion dhe përgjegjësi të lartë për të respektuar të drejtat e njeriut.

A mendoni se një pjesë e grave në nivele të larta politike, ekonomike dhe sociale po e bëjnë si duhet punën e tyre ?

Ne jemi përpjekur së bashku me organizata të tjera të rrisim numrin e grave në vendimarrje dhe jemi shumë të kënaqura që sot kemi 8 gra ministre, rreth 22 % gra në parlament dhe 34 % gra në këshillat bashkiake. Më tej kemi 9 gra kryebashkiake nga 61 bashki gjithësej. Nga gratë e zgjedhura në pozicione vendimmarrëse kërkojmë të ndihmojnë konkretisht gra e vajza në nevojë, të mbajnë qëndrime publike dhe lobojnë për çështje të rëndësishme që lidhen me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.

A po bëjnë gratë sot të njëjtat beteja si gratë dje, apo janë beteja të reja ?

Sigurisht që betejat kanë kaluar në fazë tjetër, por dhuna në familje mbetet një sfidë e madhe e shoqërisë dhe duket sikur po përkeqësohet. Problem tjetër është bullizmi dhe kjo jo vetëm për vajzat por edhe për djemtë si dhe marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme që shpesh shoqërohen nga dhuna. Trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi në kufijtë e skllavërisë mbeten çështje kombëtare. Duhet të informojmë brezin e ri në shkolla në lidhje me çështje të tilla, të organizojmë parandalim në nivel shkolle, komuniteti e familje. Nuk duhet të sillemi sikur çështje si ato të përmendura më lart i takojnë vetëm familjes ku ndodh ngjarja. Nuk duhet të fshihemi si struci kur vjen puna për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe trafikimit, pasi kjo është çështje e gjithë shoqërisë. Institucionet arsimore duhet të jenë qendra komunitare, ku jo vetëm studiohen lëndët përkatëse, por edhe në radhë të parë nxënësit shoqërizohen me njëri – tjetrin dhe mësohen të respektojnë të drejtat e njeriut.

Cila është arma më e mirë që kanë gratë sot ?

Ligjet në shqipëri janë të mira dhe gratë duhet ti përdorin. Shpresojmë që sistemi i drejtësise të pastrohet nga njerëzit e korruptuar përmes Reformës në Drejtësi, e kështu hap pas hapi në Shqipëri të krijohen mundësi të mira jetese, të ofrohet punë e denjë, mbrojtje maksimale për njeriun. Ky mjedis do mundësojë jo vetëm gratë por gjithë shoqërinë Shqiptare të përparojë drejt të mirave.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

2 Komentet

  1. vjola saliu  e Shtunë 3 Shtator, 2016

    mirela eshte nje grua inteligjente dhe kjo qender ka bere shume per grate un jam nje prej tyre qe kam perfituar benefitet suksese

  2. toni  e Shtunë 3 Shtator, 2016

    viva le done!!!!!!!!!!