Investimi 8.8 milionë euro/ Aparatura të teknologjisë së lartë në spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT

Sallat e operacionit të kirurgjisë në qendrën më të madhe spitalore në vend, nuk do të kenë dallim nga spitalet europiane falë instalimit të aparaturave të teknologjisë së lartë që po instalohen në QSUT.

Gjatë inspektimit të punimeve në Spitalin e ri të Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se investimi prej 8.8 milionë euro do të rrisë cilësinë e shërbimit për pacientët, por edhe mjekët do të punojnë në kushte bashkëkohore.

“Jemi në fazën përfundimtare për të vënë në funksion spitalin e ri të kirurgjisë në QSUT, një premtim i bërë realitet, që i shërben mbi 62 mijë pacientëve në vit. Por nuk janë vetëm llaç e tulla. Ky investim është në zemër të kirurgjisë për të gjithë vendin, me aparatura të teknologjisë së lartë që do të përmirësojnë cilësinë e shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milionë euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Spitali i ri i Kirurgjisë do të ketë një kapacitet me 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tre klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë. Spitali i ri do të ketë 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që ju shërben edhe studentëve të mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike. Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Qeveria shqiptare po investon rreth 30 milionë euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e Spitalit të Ri të Kirurgjisë, Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet