Janar-nëntor 2019, shpenzimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë 1.15 miliard lekë

Shpenzimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, për periudhën janar-nëntor të vitit 2019, u realizuan në masën 1.15 miliardë lekë, duke rezultuar 104.5% krahasuar me planin e periudhës.

Në raport me planin vjetor ato janë realizuar në masën 115.4% të planit vjetor, sipas buxhetit fillestar dhe 96.2% të buxhetit të rishikuar.

Kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2018, shpenzimet për këtë zë rezultojnë me një

rritje në masën 477 milionë lekë më shumë në terma nominalë.

Për vitin 2020 qeveria parashikon 1 miliard lekë fond për dëmshpërblimin financiar për ish të përndjekurit politik të regjimit komunist.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur në fillim të muajit dhjetor të 2019-s edhe procedurën e pagesës së këstit të dymbëdhjetë për kategorinë e subjekteve përfituese parësore si dhe po kryen pagesën e këstit të tretë për kategorinë e subjekteve përfituese jo parësore.

Dhënia e dëmshpërblimit financiar nga shteti shqiptar për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, për familjarët e viktimave të ekzekutuara dhe personat e internuar ose të dëbuar në kampe, është një angazhim i shtetit demokratik në dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist dhe garantimin për ta të një jete më të mirë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet