Karta e studentit edhe në celular, të gjitha entet publike dhe bizneset do kenë etiketë në xham

Karta e studentit do të jetë jo vetëm fizike, por edhe elektronike, ku çdo student mund ta përdorë atë përmes celularit, pa pasur frikën se mund ta humbasë apo ta harrojë ta marrë me vete.

Ndërkaq, të gjitha entet publike apo bizneset që do t’i bashkëngjiten nismës për kartën e studentit, do të vendosin në mënyrë të dukshme një etiketë. Duke folur në dëgjesën me studentët për kartën e studentit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se po punohet që këtë shërbim ta ofrojnë sa më shumë ente publike dhe biznese.

“Gama e shërbimeve të kartës do të pasurohet. Ndërkohë, të gjitha entet që do të ofrojnë shërbim për kartën, duke filluar nga ato publike te ato private, do të kenë një sticker në xhamin e tyre ku thuhet se këtu pranohet karta e studentit. Mund të jetë kinema, librari, kancelari ose supermarket, që dëshmon se ai është një ent që e pranon kartën e studentit dhe ofron një shërbim me një çmim më të ulët për të gjithë ata që janë bartës të kartës”, tha Veliaj.

Të rinjtë që do të kenë Kartën e Studentit, do të njoftohen me email ose me sms për të gjitha shërbimet që entet publike apo ato private ofrojnë. “Kur secili merr kartën, do të vendosë edhe një nr kontakti. Do të kontaktohet me sms apo me e-mail për shërbimet. Tashmë kemi filluar nga ata që ofrojnë pica, ushqim fast-food, një zinxhir supermarketesh, librarish, e kështu me radhë. Me marrjen e kartës, secili vendos opsionin sa herë do të njoftohet ose për çdo kompani të re më çoni një mesazh që unë të di që edhe këtu kam akses. Pastaj, për kartat do të ketë edhe një faqe në internet që do të përditësohet çdo ditë”, tha Veliaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet