Katër të arrestuar për grabitjen në Rinas

Policia e Shtetit vazhdon veprimtarinë hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 9 prill në Rinas, ndërsa kanë rënë në pranga katër persona si autorë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shteti shprehet se në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, për zbardhjen e ngjarjen së datës 09.04.2019, ku janë vjedhur me armë një sasi e kosiderueshme vlerash monetare në aeroportin e Rinasit dhe mbeti i vrarë një nga autorët e kësaj ngjarje shtetasi Admir Murataj, informojmë se: Grupi i Posaçëm Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative, si dhe provave të siguruara gjatë hetimit është bërë i mundur ndalimi i katër autorëve të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje dhe konkretisht: O. V., 38 vjeç, banues në Krujë; A. B., 34 vjeç, banues në Elbasan, me banim të përkoheshem në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”; R. S., 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan; S. Ç. 28 vjeç, lindur në Kajan Elbasan dhe banues në Elbasan.

Po ashtu Policia sqaron se gjatë operacionit për ndalimin e këtyre shtetasve janë përdorur teknika speciale hetimore dhe janë përfshirë strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Gjithashtu Policia shton se gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, prova të shumta të cilat do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. Muharrem Alba   e Martë 23 Prill, 2019

    Pse vetem 4 ? ata ishin 12 e me teper sipas policise . Kur do arrestohen te gjithe? kur do gjenden leket? Duhet shkarkuar gjithe zinxhiri i komandimit-kontrollit, hetimit., nese nuk gjenden hajdutet dhe lidhjet-rrjet i tyre. Ose te kapen hajdutet ose te shkarkohen pergjegjsit qe paguajme ne.