Kemi bërë një reformë të gjithë sistemit, më të sigurt nga pikëpamja e cilësisë

Përveç rikonstruksionit të rrugës, banorët e zonës së Surrelit në Tiranë kanë edhe një shkollë e kopsht me kushte shumë herë më të mira për fëmijët e tyre.

Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar shkollën e mesme “Ymer Lala” në Surrel, ku mësojnë rreth 300 nxënës, ndërsa bashkëngjitur saj ka edhe një kopsht për më të vegjlit.

Në përfundimin punimeve ishte sot kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Kemi bërë një reformë të gjithë sistemit dhe jemi më të sigurt se gjërat do t’i kemi shumë më mirë nga pikëpamja e cilësisë”, tha sot kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të shkollën e bashkuar të rikonstuktuar në Surrel.

Kryeministri Rama vizitoi klasat e shkollës 9-vjeçare dhe klasat e fëmijëve të kopshtit ku bashkëbisedoi me nxënësit.

“Më vjen shumë mirë që sot ka përfunduar ky projekt sepse shkolla ka qenë vërtet në një gjendje të keqe. Drejtori po më thoshte se nuk është investuar që nga viti 1969. E rëndësishme është që gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe cilësi, si kudo ku vë dorë Lali Eri, dhe përpiqet që jo vetëm për t’u krijojë kushte optimale atyre që vijnë në shkollë, por edhe për t’u dhënë shpresë dhe optimizëm atyre që presin që t’ju vijë radha, sepse gjërat bëhen me radhë dhe përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë”, -theksoi Rama.

“Ju thoni t’i bëjmë të gjitha përnjëherë por të gjitha përnjëherë nuk bëhen. Kështu nga ana tjetër, besoj shumë dhe shpresoj shumë që të adresohen edhe disa nevoja të tjera të komunitetit që nuk po i përmendim, dhe nuk duam t’i vëmë në vështirësi se na kanë ardhur në shtëpi”, theksoi kryeministri.

Në vijim, Rama falënderoi mësuesit. “Ne jemi shkolla e 12 në të gjithë territorin. Pra kur them nga të gjithë them që nga shkolla në qendër të Tiranës e deri në Krrabë. Fola me djemtë dhe me vajzat brenda dhe ambicia jonë është të hyjmë në 10 të parët. Falemiderit drejtorit të arsimit dhe gjithë ekipit të Drejtorisë arsimore”, tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek reforma në Arsim. “Tani kemi bërë një reformë të gjithë sistemit dhe jemi më të sigurtë që gjërat do t’i kemi shumë më mirë nga pikëpamja e cilësisë, nga pikëpamja e ecurisë. Me librat kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm. Sot fëmijët tanë kanë libra të Oksfordit, Cambridge-it. Janë libra që përdoren gjerësisht në të gjithë Europën”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se do rriten pagat e mësuesve.

“Sigurisht duhet t’ju rrisim më tej edhe pagat, jo vetëm mësuesve por dhe të tjerëve dhe të gjitha këto përbëjnë arsyen për të qenë të inkurajuar për të nesërmen. Nuk jemi aty ku duhet të jemi por po të kthejmë pak kokën mbrapa nuk krahasohet me asnjë aspekt me aty ku ishim”, tha ai.

Shkolla e mesme e bashkuar ka 6 klasa me rreth 112 nxënës, shkolla 9-vjeçare 160 nxënës dhe kopshti 31 fëmijë. Rikonstruksioni përfshiu rifiniturat e brendshme e të jashtme, nyjet sanitare, ndërtimin e mjediseve shtesë në funksion të shkollës, punime në sistemimin e jashtëm si dhe sistem qendror ngrohje.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet