Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrton listën emërore

Këshilli i lartë i prokurorisë u mblodh ditën e sotme për të hedhur një tjetër hap drejt Prokurorisë së posatçme (SPAK). Në rend dite është një pikë e vetme, përkatësisht "Miratimi i projekt-vendimit ‘Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë në SPAK". Relatori i Komisionit të Posaçëm për SPAK, Sandër Beci paraqiti raportin mbi kandidatët e SPAK, që lidhet vetëm me dosjet e përfunduara të kandidatëve dhe jo me ato që janë ende nën hetim. Raporti përmban gjithë ecurinë e procesit për vlerësimin e prokurorëve për të qenë pjesë e SPAK nga janari deri sot. Komisioni ka vendosur të përjashtojë nga gara kandidatin Gëzim Cena, me argumentin se nuk plotëson kushtet. “25 kandidatë plotësonin kushtet ligjore dhe mund të vazhdonin procesin. Gëzim Cena nuk plotëson kushtet për të vijuar garën. Ai nuk ka qenë asnjëherë prokuror i Republikës së Shqipërisë. Sipas ligjit, magjistrati duhet të ketë ushtruar detyrën si prokuror për jo më pak se 10 vjet. Ndaj dhe Cena nuk mund të plotësojë kriteret”, tha Beci. Komisioni i Posaçëm ka miratuar një metodologji vlerësimi me pikëzim për secilin kandidat në përputhjen me “Rregulloren për ngritjen e SPAK” e miratuar në seancën plenare të KLP. Procesi është mbikëqyrur përgjatë ecurisë së tij nga misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet