Komisar Artan Cuku nderohet me medaljen ''Dëshmor i Atdheut''

Komisar Artan Cuku është shpallur “Dëshmor i Atdheut. Ka qenë bashkëshortja e tij, e cila me lot në sy ka marrë simbolet që i janë dorëzuar nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Gjatë fjalës së tij, Lleshaj u shpreh se Cuku u vra nga një atentat i pabesë, i ndodhur në vitin 2017. Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj gjatë ceremonisë së dhënies së shpalljes “Dëshmor i Atdheut” për ish-drejtuesin e Policisë Artan Cuku:

Të nderuar familjarë të “Dëshmorit të Atdheut” Artan Cuku, bashkëshorte Marjola, fëmijët nuk i shoh këtu, por po i përmend me emër, Arbjon dhe Amelia,

Të afërm të tjerë, vëllezër, pjesëtarë të tjerë të familjes,

Të nderuar miq e shokë të Artan Cukut,

Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,

Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës,

Të nderuar pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare të asistencës pranë Policisë së Shtetit,

Sot jemi mbledhur për të përjetuar së bashku një moment nderimi dhe reflektimi për jetën e Artan Cukut, një prej drejtuesve të Policisë së Shtetit, i cili u vra për shkak të detyrës, me 8 prill 2017, dhe që me vendim të Komisionit Qendror të Statusit të “Dëshmorit të Atdheut” është nderuar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.

Artan Cuku lindi me 14.01.1975 në fshatin Lurë e vjetër të rrethit Dibër, si fëmija i katërt i Sulejman dhe Nurije Cukut. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar e përfundoi në Fushë-Lurë, ndërsa arsimin e mesëm të përgjithshëm e mbaroi në qytetin e Peshkopisë. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, nga viti 1994-1996, ai ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikollë Kaçorri” në Lurë. Në vitet 1997-2000 përfundoi Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin “Specialist i lartë i Policisë”.

Gjatë karrierës së tij, ai përfundoi pa shkëputje nga puna studimet për drejtësi, në nivelet bachelor dhe master e më pas mori dhe titullin “Avokat”.

Artan Cuku kaloi një karrierë shumë dinamike dhe të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit, duke kryer detyra në nivele të ndryshme drejtimi, nga më të ulëtat, deri të ato më të lartat, ku spikat ajo e Drejtorit të Policisë Vendore të qarkurt Vlorës. Dhe e mbylli jetën e tij të re pas një atentati të pabesë, nga një dorë kriminale, me 8 prill 2017.

Vrasësi i paguar i Artan Cukut u kap nga Policia e Shtetit në 11.06.2017, kurse porositësi i këtij krimi të shëmtuar është arrestuar me 29.12.2018 në Athinë, prej nga pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë ku do të duhet të përballet me drejtësinë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ne jemi mbledhur këtu sot për të nderuar jetën, veprën dhe sakrificën sublime të një oficeri të Policisë shqiptare, i cili nga sot i bashkohet radhës së “Dëshmorëve të Atdheut”, duke merituar respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve.

Me këtë akt të thjeshtë dhe simbolik, ne i shprehim respektin dhe mirënjohjen gjithë familjarëve dhe të afërmve të Artan Cukut, të cilët kanë patur nderin, por dhe fatin për ta lindur, rritur, edukuar dhe shoqëruar përgjatë jetës së tij të shkurtër, por dhe të lavdishme.

Në të njëjtën kohë, me nderimin e Artan Cukut ne shprehim mirënjohjen dhe respektin e thellë për gjithë Policinë e Shtetit shqiptar dhe për dëshmorët e saj të shumtë.

Radha e gjatë e dëshmorëve që Policia e Shtetit i ka dhënë Shqipërisë është jo vetëm një tregues i vlerave të larta dhe i shërbimeve të jashtëzakonshme që ky institucion i ka dhënë vendit tonë të përbashkët, por dhe një thirrje e madhe për reflektim ndaj gjithë shoqërisë shqiptare.

Numri i lartë i dëshmorëve të Policisë së Shtetit duhet të shërbejë si një thirrje për përkushtim, profesionalizëm, ndershmëri dhe dinjitet për çdo punonjës të saj dhe posaçërisht për ata të rinj që po bashkohen përditë e më shumë në radhët e strukturave të Policisë.

Ky numër i lartë, madje jashtëzakonisht i lartë dëshmorësh, duhet të shërbejë edhe si një thirrje për reflektim të thellë, përgjegjësi të lartë ndaj çdo shqiptari, ndaj shoqërisë në tërësi, ndaj klasës politike. Shqipëria ka nevojë për më shumë policë, por për asnjë dëshmor nga radhët e saj.

Si një organizatë në shërbim të qytetarëve, Policia e Shtetit do të vijojë përpjekjet e saj për ta përmirësuar përherë e më shumë marrëdhënien me qytetarët, për të përmirësuar shërbimet dhe për të merituar përherë e më shumë besimin e tyre.

Besimi i qytetarëve mund të meritohet vetëm përmes përkushtimit, shërbimit me nder, profesionalizmit dhe patriotizmit.

Shembulli i Artan Cukut dhe i qindra dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit është një hipotekë e rëndë, por dhe e paçmueshme krenarie dhe vlerash të larta, që Policia e Shtetit do të ndjekë dhe vlerësojë në shërbimin e saj ndaj qytetarëve dhe ndaj sigurisë publike të vendit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i “Dëshmorit të Atdheut”, Artan Cuku!

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet