Kontoll 'psiko - emocional' për mësuesit

“Vlerësimi psiko-emocional” është proçesi i mbledhjes së informacionit në lidhje me një person brenda një shërbimi psikologjiko -psikiatrik, me qëllim për të përcaktuar një diagnozë. Ky studim është i domosdoshëm të bëhet për mësuesit në vendin tonë. Një grup deputetesh ka kërkuar ndryshimin e ligjit për arsimin parauniversitar sa u përket proçedurave të punësimit të mësuesve. Në projektligj përcaktohet që mësuesit që do punësohen duhet t’i nënshtrohen një kontrolli psiko - emocional te psikiatri dhe psikologu. Po ashtu, ligji prek edhe mësuesit që janë të punësuar, pasi edhe ata duhet që brenda vitit nga hyrja në fuqi e këtij ligji t’i nënshtrohen këtij kontrolli psiko - emocional. Ndryshimi i ligjit është kërkuar me propozim të tre deputeteve femra, përkatësisht Majlinda Bregu, Albana Vokshi dhe Mesila Doda. Në relacionin që deputetet kanë dorëzuar në Kuvend, sqarohen arsyet përse është kërkuar ndryshimi i ligjit, dhe kryesore sipas tyre është shtimi i rasteve të dhunës që ushtrojnë mësuesit ndaj nxënësve. Të gjithë ata mësues që nuk e kalojnë me sukses vlerësimin psiko-emocional, humbasin të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet