Kosovë/Shumë gabime teknike dhe përmbajtësore në tekstet e reja mësimore

Shumë gabime gjuhësore dhe morfologjike janë identifikuar nga mësimdhënësit në tekstet e reja shkollore të botuara këtë vit. Mësimdhënësit nuk duan të identifikohen pasi kanë frikë se pushohen nga puna, por njohësit e çështjeve të arsimit thonë se kjo ka ardhur si rezultat i keq-menaxhimit të konkursit. Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se këtë vit tekstet janë në pilotim dhe se do të rishikohen pas një viti.

Për disa nga gabimet e evidentuara në tekstet e reja shkollore, mësuesit thonë se përmbajtja në disa raste është e komplikuar. Në disa shkolla të mesme, mësimdhënësit kanë thënë se kanë evidentuar gabime në tekste të fizikës, kimisë, gjuhës shqipe dhe në disa lëndë të tjera. Për këto probleme, Rinor Qehaja, nga Instituti Edguar, tha se këto gabime janë ripërsëritur po njëlloj si vitet e kaluara. Ai tha se nga takimet që kanë pasur nëpër shkolla, kanë vënë re se gabimet janë të natyrave faktike, gjuhësore e sociale, pothuajse në të gjitha tekstet.

Qehaja, tha se kjo ka ardhur si rezultat i keq-menaxhimit të konkursit për tekstet e reja shkollore. Drejtori i departamentit të arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha se ministria ka nxjerrë vendimin që këto tekste janë në pilotim për një vit, për të pasur mundësi që të evidentohen të gjitha gabimet e mundshme, në mënyrë që të përmirësohen ato.

Muaj më parë, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, kanë dhënë dorëheqje dy anëtarë me arsyetimin se i gjithë procesi ka qenë i montuar dhe ka pasur favorizime të një shtëpie botuese. Tekstet e reja u botuan pas fillimit të zbatimit të kurrikulës së re.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet