Kosovë/ Edhe 2 raste të reja, shkon në 15 numri i të prekurve nga COVID-19

Edhe dy raste të reja janë shënuar me koronavirus sot në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë nga data 8 shkurt deri më 16 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 263 mostra të dyshimta dhe gjithsej 15 prej tyre kanë rezultuar pozitive.“Nga data 08.02.2020 deri me 16.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej pesëmbëdhjetë prej tyre kanë rezultuar pozitive.

“Krahas trembëdhjetë rasteve pozitive të deritashme, sot me 16.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me RT PCR janë konfirmuar edhe dy raste të reja pozitive për virusin SARS-CoV-2: Dy rastet janë dy të fejuar të ardhur nga Londra sot me datë 16.03.2020 me fluturim direkt Londër -Prishtinë. Të dytë kanë qëndruar në Londër nga data 04 mars deri me datën 16.03.2020, dhe sot janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe të përcjellur me auto ambulancë për në Klinikën Infektive-SHSKUK. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Njeri i gjinisë mashkull dhe tjetri rast i gjinisë femër, të dytë të moshës 26 vjeçare”, thuhet në njoftim.Në qendrën e thirrjeve deri më tani janë pranuar në total 1600 thirrje, ndërsa vetëm sot nga orët e hershme të mëngjesit janë pranuar 215 thirrje telefonike.Nga data 01.02.2020 deri me 16.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 10.653 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 4.264, Vërmicë 2.989, Jarinje 742, Dheu i Bardhë 552, Hani i Elezit 734, Kullë 534, Qafë Morinë 41, Bërnjak 178, Qafë Prush 15, Muçibabë 124 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po përcjell me vigjilencë të shtuar situatën epidemiologjike me COVID-19, po monitoron të gjitha rastet e kontakteve si dhe atyre të cilëve u është rekomanduar për vetëizolim shtëpiak.

Ekipet e QRShP në rajonet përkatëse janë në terren dhe janë duke i kontakuar kontaktet e kontakteve të rasteve pozitive me COVID-19 për mbikëqyrje të rreptë për 14 ditë duke rekomanduar që personat të vetëizolohen dhe ata që kanë simptome të lajmërohen në klinikën infektive.

Në IKShPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në bazë të qarkores së Ministrisë së Shëndetësisë është rekomanduar reduktimi i operacioneve elektive dhe i vizitave në ambulancat specialistike spitalore.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet