Krimi i organizuar dhe siguria rrugore prioritet për vitin 2020

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe Siguria Rrugore do të jenë prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2020, ndërsa pritet dhe miratimi i ndryshimeve ligjore për menaxhimin e kufirit dhe kontrollin e flukseve migratore për ligjit të ri për “Azilin”.

Zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare theksoi se, krahas digjitalizmit si prioritet i Qeverisë, në fokus të punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2020 janë Lufta ndaj krimit të Organizuar, Siguria Rrugore dhe Menaxhimi Integruar i kufirit me dy ligje të reja që pritet t”i dorëzohen Kuvendit për shqyrtim.

“Dy do të jenë prioritet e mëdhaja kryesore të kësaj Ministrie. Prioriteti i parë mbetet dhe do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, që do të intensifikohet edhe pas konkludimit të një drafti ligjor kundër krimit të organizuar. Një ligj që ka kohë që po punohet dhe që do t’i japi një lloj autoriteti Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në kohë dhe për të goditur grupet kriminale, duke rritur rolin aktiv dhe operacional të Policisë së Shtetit”-, theksoi Voda.

“Drafti është konsultuar dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet dhe të dërgohet në instancat pas-ardhëse për miratim. Ky ligj jam e bindur do të ndikojë pozitivisht në rritjen e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar në vitin 2020”-, tha Voda.

Sipas saj, prioriteti i dytë është Siguria Rrugore. “Puna e Policisë Rrugore ka qenë tejet pozitive duke parë që është menaxhuar ndër të tjera dhe një fluks i lartë i qarkullimit rrugor, duke parë se ishin 6.4 milionë turistë, që vizituan Shqipërinë në vitin 2019”-, tha Voda.

Ajo shtoi se fokus i Ministrisë së Brendshme është edhe modernizimi i Policisë Rrugore.

“Pritet një projekt modern për vëzhgimin e qarkullimit në rrugë të mjeteve përmes kamerave të monitorimit rrugor, dragerave dhe trajnimeve të punonjësve të policisë Rrugore, si edhe edukimin e këmbësorëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. I gjithë fokusi dhe vëmendja jonë do të japi rezultate dhe uroj dhe jam e bindur, që viti 2020 të ketë rezultate më të mira sa i takon sigurisë rrugore”-, garantoi Voda.

Zv/Ministrja e Brendshme foli edhe për digjitalizimin. “Gjendja civile futet në një vit ku shërbimet po modernizohen. Ofrimi i shërbimeve online është prioritet i Qeverisë. Shërbimi i gjendjes civile ofron një numër të madh shërbimesh online dhe falë këtij shërbimi gjatë vitit 2019 arritëm të shpërndanim online një numër rekord certifikatash personale apo familjare, ndërsa tani këtë shërbim e kemi shtrirë edhe për certifikatat e martesës apo atyre të vdekjes”-, theksoi Voda.

Menaxhimi i integruar i kufirit dhe kontrolli flukseve migratore, është një tjetër objektiv i Ministrisë së Brendshme.

“Në vitin 2019 ishte një sukses implementimi i marrëveshjes me “Frontex” për menaxhimin e kufirit blu dhe tokësor. Me “Frontex” janë kryer një sërë operacionesh të suksesshme në kufirin e gjelbër dhe jo vetëm.

Do të kemi vijim të operacioneve kufitare edhe në bazë të marrëveshjes statuore që kemi edhe për vitin 2020 me “Frontex”. Do të kemi modernizim edhe të Policisë kufitare përmes projektit “IPA 2018″. Sipas këtij projekti do të jepen 6 milionë euro për Policinë Kufitare, për menaxhimin e integruar të kufirit dhe me këtë shumë do të përfitojnë pajisje dhe mjete moderne për vrojtimin e kufirit të gjelbër dhe kufirit blu”-, tha Voda.

“Flukset mirgratore janë menaxhuar mjaft mirë së bashku me oficerët e “Frontex”. Risi do të jetë ligji i ri për azilin. Një ligj ky i përafruar me ligjet e BE. Presim dhe të dërgojmë ndryshimet e fundit ligjore për kontrollin kufitar. Dy ligje të reja pra, shumë të rëndësishme që do të rregullojnë sipas standardeve të BE-së punën e policisë kufitare si në mbikëqyrjen e kufirit, por dhe kontrollin e flukseve migratore”-, nënvizoi Voda. /ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet