Kurti: Nuk jam kundër nismave rajonale, por jo para bashkëpunimit me Shqipërinë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht fituesi i zgjedhjeve në Kosovë Albin Kurti, deklaroi sot në mbrëmje se “nuk jam kundër nismave rajonale, por jo para bashkëpunimit me Shqipërinë. Të heqim njëherë barrierat me Shqipërinë pastaj me Serbinë”.

Gjatë një interviste për Report TV, Kurti foli lidhur me Samitin e Ohrit duke u shprehur se ishte i parakohshëm për sa kohë Kosova e Serbia kanë ende pa zgjidhur shumë probleme bilaterale.

“Së pari besoj që Samiti i Ohrit apo mbledhja e dytë e kësaj vale të re nuk është dashur që të mbahet”, tha Kurti duke u shprehur se “çdo iniciativë duhet t’i bëjë vendin parimit të reciprocitetit që do të zbatojë qeveria e re e Kosovës. Edhe LDK-ja edhe unë, gjithsej 2/3 e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë për reciprocitet me Serbinë. Do të mbledh qeverinë për ta diskutuar këtë gjë dhe me shoqatat dhe organizatat, unionet për të parë se çfarë dobie kanë për Kosovën”.

“Unë besoj se si shqiptarë duhet ta synojmë faktorizimin e kombit tonë kudo që jemi, politik dhe ekonomik. Ne duhet të angazhohemi për liberalizmin ekonomik dhe bashkimin Kosovë dhe Shqipëri, ky duhet të jetë prioriteti ynë”, tha ai.

Kreu i Vetëvendosjes tha më tej se “ne kemi rreth 50 marrëveshje Kosovë – Shqipëri. Ne nuk e kemi një bilanc, por duhet ta bëjmë një bilanc dhe këtë e kam ngritur dhe në takimin që pata me Kryeministrin Rama. Janë rreth 50 marrëveshje gjithsej dhe 30 prej tyre janë për çështjet ekonomike. Duhet bërë bilanci, sa marrëveshja janë zbatuar, sa nuk janë zbatuar dhe pse nuk janë zbatuar. Ne duhet të ecim përpara jo vetëm me marrëveshje bilaterale, por me mekanizma të përbashkët”.

Gjithashtu Kurti theksoi se është mirë të kemi edhe regjistrin e përbashkët civil si dhe regjistrin e përbashkët të bizneseve.

I pyetur rreth takimit me Kryeministrin Rama, Kuti tregon se bashkë diskutuan gjatë për shumë çështje ekonomike mes dy vendeve.

“Unë mendoj se është për të përshëndetur ai qëndrimi i tij se nuk është për shkëmbimin territorial, meqenëse se kishte diku nga 14 muaj që nuk ishim takuar dhe padyshim se mendoj se ai projekt i dështuar nuk duhet të vijojë që të mbetet as ide”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për taksën e produkteve serbe duke theksuar se “tarifa 100% zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Nuk e di kur, por qeveria jonë do të jetë e përbërë nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, ne do të vendosim reciprocitetin e plotë dhe kur do ta vendosim do ta heqim, do të përpiqemi sa më shpejt”. /ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet