Letër nga një mama single: si duhet të veprojë për atësine e vajzës sime ?

Përshëndetje znj. Avokate

Quhem A. dhe para një viti kisha një lidhje me një shokun tim. Nga kjo lidhje e jashtëmartesore e njohur për të dyja familjet na lindi një fëmijë. Gjatë kësaj kohe në nuk ishim të fejuar dhe as të martuar, e sot e kësaj dite ne jemi ndarë. Vajzën time e regjistrova në çertifikatën time familjare dhe me atësi të panjohur, pasi ai nuk pranoi të jepte atësinë. Si duhet të veproj për atësinë e vajzës sime?

Përshëndetje e nderuar A,

e lexova me vëmendje letrën tuaj. Ju sqaroj se ligji parashikon rrugët e njohjes së atësisë të fëmijës, e cila mund të bëhet në mënyrë vullnetare nga babai biologjik pretendues (i cili duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeç) duke u paraqitur para nëpunësit të gjëndjes civile dhe duke bërë njohje vullnetare, ku pas kësaj nëna biologjike shpreh pvlqimin. Vlen për tu theksuar se vetëm njohja e bërë nga i ati biologjik pretendues ka fuqi ligjore ndërkohë që evidentimi i emrit dhe i mbiemrit të babait bilogjik të pretenduar nga ana e saj në mënyrë individuale, nuk ka fuqi ligjore.

Ndërkohë që në rastet kur babai i fëmijës (në një lidhje jashtëmartesore) nuk pranon të bëjë njohje vullnetare të fëmijës së tij (siç është dhe rasti juaj) atëherë nëna ka të drejtë ti drejtohet gjykatës me padi, brenda 3 vjeteve nga lindja e fëmijës duke kërkuar njohje atësie.

Kodi i Familjes është shprehur mjaft qartë e konkretisht “Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa. Vendimi i gjykatës që përcakton amësinë ose atësinë ka efekt që nga lindja e fëmijës.

Pra duke qenë në këto kushte meqënëse ish partneri juaj nuk pranon të bëje njohje vullnetare, ju duhet ti drejtoheni Gjykatës me padi, duke depozituar prova shkresore apo me dëshmitarë, të cilët vërtetojnë lidhjen mes jush, bashkëjetesen marrëdhënien e përbashket, kohën e konceptimit të tij duke përfshirë, letra fotografi, emaile etj, si dhe analizat e AND që janë prova vendimtare në këtë proçes.

Theksoj se analizat e ADNsë nuk mund të merren forcërisht nga babai i pretenduar i fëmijës, por duhet të jetë ai që me vullnet të vet i nënshtrohet këtyre analizave. Në rast se babai i pretenduar nuk pranon ti nënshtrohet analizave, atëherë Gjykata do të mbajë parasysh se ai me sjelljet dhe veprimet e tija po pengon marrjen e një vendimi të drejtë duke proçeduar në mungesë të kësaj provë.

Author

Shkruaj një koment

0 Komentet