Lleshaj, deputetët holandez nuk i njohin shifrat, një delegacion së shpejti në Tiranë

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj u shpreh gjatë një interviste televizive se kërkesa e parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, ka hasur edhe në qëndrimin kundër të vetë qeverisë së Holandës.

“Ajo që ka ndodhur në parlamentin e Holandës del jashtë gjykimit të vetë qeverisë së Holandës, e cila nuk e konsideron problem të madh. Kam të drejtën e plotë t’i bashkëngjitem qëndrimit të ministrit përgjegjës për Sigurinë në Holandë. Shqiptarët nuk përbëjnë asnjë problem dramatik. Kam ndjekur një histeri reagimesh, a thua se ne e shkatërruam Holandën dhe të bëjmë vetëvrasje këtu. Shqiptarët janë të pranishëm edhe në skenën kriminale atje, si shumë kombe të tjerë. Shqiptarët përbëjnë 0,19%, duke lënë pas polakët, marokenët etj. Vendimi i parlamentit nuk ka lidhje me realitetin objektiv në terren. Ka lidhje me perceptimin, janë dy gjëra, realiteti dhe perceptimi. Për një imazh të keq të shqiptarëve atje, po luajnë rol shumë aktorë, në radhë të parë ne që promovojmë një imazh të keq për Shqipërinë, një aktor i tretë i rëndësishëm janë qarqet populiste, nacionaliste, që ndjejnë një farë rizgjimi në Europë”, sqaroi ministri Lleshaj.

Ministri Lleshaj theksoi gjithashtu edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me një nga partnerët kryesorë siç është Holanda në goditjet kundër grupeve kriminale.

“Ne kemi ofruar të gjithë gatishmërinë tonë për të bërë gjithçka për të vepruar, për të bashkëpunuar me ekipet e përbashkëta të hetimit, të cila mund të na ndihmojnë që të godasim ata elementë që na dëmtojnë. Bashkëpunimi me Holandën është shumë i mirë dhe jemi të angazhuar me ministrin Grapperhause për të rritur bashkëpunimin. Me Holandën do të punojmë shumë seriozisht si për shifrat, dhe për perceptimin. Jam i bindur se deputetët e tyre nuk i njohin shifrat. Ministri i Holandës u tha disa shifra kolegëve të tij në parlament, ku të gjitha shifrat janë në rënie. Është një absurditet diskutimi për vizat. Ministri holandez nuk m’a shprehu shqetësimin për rikthimin e vizave, pasi ai nuk e kishte këtë shqetësim. Nuk ka gjasa objektive që të penalizohemi nga vendimi i Holandës. Vendimi për vizat nuk është atribut i parlamenteve, por i qeverive. Bazohet në kritere objektive të matshme, që bazohet me tendencën e azilkërkimeve etj”, theksoi Lleshaj.

Ministri theksoi gjithashtu se fluksi i qytetarëve që kërkojnë azil në vendet e Europës është ulur me 300%. Ministri tha se shumë shpejt në Tiranë do të vijë një delegacion holandez, tek të cilët Lleshaj tha se do të shfaqë si është situata e vërtetë e shqiptarëve në Holandë, dhe shifrat në pjesëmarrjen e kriminalitetit, që ndoshta vetë deputetët e parlamentit të Holandës nuk i dinë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet