Manastirliu paraqet sfidat e gruas shqiptare në OKB

Prezanton planin e qeverisë për rolin e femrës në shoqëri

Gruaja shqiptare në zonat rurale përballen me sfidat si lufta kundër stereotipeve gjinore, pabarazia gjinore, parandalimi i të gjitha formave të dhunës ndaj grave, aksesi në shërbimet shëndetësore dhe sociale, etj. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila mori pjesë në sesionin e 62 të Komisionit për Statusin e Gruas, që po mbahet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Manastirliu theksoi fokusin që qeveria shqiptare i ka kushtuar fuqizimit ekonomik dhe social të grave rurale nëpërmjet skemave të punësimit dhe gjithëpërfshirjes së grave. “Adresimi i pengesave me të cilat përballen gratë dhe vajzat rurale, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, si pjesë integrale e angazhimit të marrë për më shumë barazi gjinore dhe përfshirje sociale. Puna jonë është kryesisht e fokusuar në parandalimin e dhunës me bazë gjinore në zonat urbane dhe rurale; rritja e aksesit të grave dhe vajzave në sistemin gjyqësor, përmirësimi i jetës në zonat rurale, falë reduktimit të punës së papaguar në sektorin bujqësor, duke bërë të mundur që më shumë gra dhe vajza në zonat rurale të përfitojnë nga skemat e subvencionit, si dhe të garantohet e drejta mbi pronën dhe tokën bujqësore”, tha Manastirliu.

Ministrja gjatë fjalës së saj u ndal në disa nga praktikat dhe shembujt pozitiv të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për fuqizimin e gruas rurale: “Kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në kuadër të harmonizimit të legjislacionit Shqiptar me standardet ndërkombëtare. Amendimet ligjore të ligjit mbi masat e dhunës në familje, ligjit për ndihmën juridike, kanë pasur një impakt të drejtpërdrejtë në reduktimin dhe ofrimin e zgjidhjeve më të mira për çështje kyçe me të cilat përballet shoqëria shqiptare, si dhuna kundër grave e dhuna në familje. Të dhënat më të fundit tregojnë se gratë dhe vajzat në zonat rurale dhe urbane, sot ndihen më besimplotë për të raportuar pranë autoriteteve, rastet e dhunës dhe abuzimit. Në vitin 2017 kemi pasur 10% më shumë raportime të dhunës në familje pranë organit të policisë krahasuar me një vit më parë.Parandalimi i dhunës është një nga qëllimet kryesore të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Planit të saj të Veprimit 2016 – 2020, që synon në rritjen me 30% të numrit të qytetarëve, që mbështesin strategjinë dhe vizionin e Zero Tolerancë nga dhunës kundër grave”, përfundoi Manastirliu.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet