Me lot në sy e plot dhimbje, 15 gra naftëtare fillojnë grevën e urisë, zëvendësojnë burrat

Në ditën e 18 të grevës së urisë, naftëtarët vendosën të nxjerrin 10 grevistët burra dhe në vend të tyre janë futur gratë naftëtare. Të paktën 15 gra pritet të futen në grevë urie, pasi nuk kanë marrë pagat, me të cilat mbajnë fëmijët me bukë. Gratë naftëtare të cilat kanë 30 vite që punojnë në atë rafineri, janë të detyruara të nisin grevën e urisë si formë rezistence për të marrë pagat e prapambetura dhe të fillojnë përsëri punën.

Shumë prej tyre në moshë të mesme, në të cilat fillojnë problemet shëndetësore po rrezikojnë jetën duke nisur grevën. Ato janë duartrokitur nga pjesa tjetër në momentin që hynë në ‘ndërtesën e rezistencës’. Lot dhe dhimbje në atë dhomë me nëna, të cilat duhet të paguhen shumëfish për punën që kanë bërë në këtë jetë edhe pse në Ballsh ndodhi krejt e kundërta.

Ditën e djeshme, naftëtarët e Ballshit rrëzuan kordonin e krijuar nga policët dhe portën e uzinës ditën e sotme duke hyrë me forcë ambientet e saj në ditën e 17 të grevës, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje për pagat e prapambetura.

Naftëtarët e Ballshit prej 9 muajsh janë pa punë dhe pa asistencë sociale, ndërsa 10 prej tyre janë po qëndrojnë në grevë urie prej 17 ditësh, duke rrezikuar edhe jetën. Grevistët së bashku me naftëtarët protestues thonë se pas protestës masive, nëse ky problem nuk do të zgjidhet do të vetëflijohen duke hipur në kullat e larta të rafinerisë.

Në 3 shtator naftëtarët nënshkruan kontratat që rrjedhimisht do të sillnin edhe rikthimin e tyre në punë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Për pagat e prapambetura, kompania “Allum Enteprises ” është shprehur se nuk do t’i japë të gjitha pasi një pjesë e tyre i takojnë kompanisë së mëparshme “Tosk Energy”, me të cilën është fituar gjyqi.

Protesuesit i bëjnë thirrje ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku që të reagojë dhe t’i japë një zgjidhje këtij problemi që zgjat prej muajsh.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet