Miratohet ligji për strehimin social, përfitojnë 24 kategori. Ja procedurat për aplikim

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje në parim ligjin për strehimin social. Deputetja e PS, Eglantina Gjermeni, prezantoi projektligjin e ri para anëtarëve të komisionit teksa shpreh se do të përfitojnë 24 kategori të ndryshme.

“Ligji ka dyfishuar programin e strehimit social pasi ka shtuar akoma më shumë target-grupet që do të përfitojnë nga strehimi social. Madje ka të përfshira dhe kostot financiare. Risi e veçantë që i është bashkangjitur ligjit është edhe përfshirja për herë të parë të dëbimit. Askush nuk do të dëbohet me forcë nga banesa. Janë 24 kategori të ndryshme që do të përfitojnë, ku mund të përmendim shtresat në nevojë, fëmijët që kanë marrë statusin e jetimit para moshës 18 vjeç, të rinjtë e institucioneve jetimore, familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës, personat me aftësi të kufizuar apo dhe shumë të tjera. Dua të them që ligji ka pasur vlerësime edhe nga institucionet ndërkombëtare”.

Kategoritë që përfitojnë

Me miratimin e projektligjit “Për strehimin social”, do të përfitojnë strehim 24 kategori të cilat nuk i kanë mundësitë e sigurimit të një banese të re. Ja kategoritë: Personat me aftësi të kufizuar; punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH); punonjësit e repartit RENEA; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian; të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit; vajzat nëna; familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve; përfaqësues të LGBT; individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç; familjet që nuk u janë legalizuar shtëpitë për shkak të vendit ku kanë ndërtuar; personat e pastrehë që kanë mbetur si rezultat i fatkeqësive natyrore; familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës; familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi apo që banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor; familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore; familjet me më shumë se katër fëmijë; bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

Procedurat

Për të përftuar strehim social çdo kush do të duhet që fillimisht të aplikojë pranë bashkisë për të plotësuar dokumentacionet. Përfshirja në programet sociale të strehimit, bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet