Miratohet vetingu në polici, ''test droge, alkooli, varësi nga lojërat e fatit''... verifikim në detaje 13 mijë efektivëve

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për vettingun në polici. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si Vetting-u. Qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. Në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes”, është shprehur Hodaj. Por si do të funksionojë më konkretish vetingu në radhët e policisë? Janë rreth 13 mijë efektivë që do ti nënshktrohen një kontrolli në detaje për pastërinë e figurës profesionalizmin dhe sigurisht pasurinë që zotërojnë. Verifikimet për pasurinë do të jenë deri në detaje. Çdo efektiv duhet të deklarojë shpënzimet që nga qiraja e banesës, faturat e energjisë, ujit, internetit apo dhe pagesave të tjera periodike që kanë kryer.

“Punonjësi që i nënshtrohet vlerësimit deklaron: të ardhurat personale dhe ato të personave të lidhur, sipas certifikatës familjare, nga çfarë- do lloj aktiviteti; shpenzimet e vitit të fundit për qira banese, ujë, drita, telefon dhe internet, si dhe të gjitha ato pagesa periodike për kontratat e furnizimit apo pajtimit në emër të tij apo të personave të lidhur; udhëtimet private personale apo të personave të lidhur, jashtë shtetit gjatë tre viteve të fundit duke specifikuar vendin, kohëzgjatjen dhe me përafërsi shpenzimet e përballuara”, thuhet në projektligjin e vetingut.

Duke parë që shpenzimet më të mëdha zyrtarët më të lartë i bëjnë për fëmijët, atëherë duhet të deklarojnë gjithashtu shpenzimet vjetore për arsimimin e fëmijëve. “Arsimimin e fëmijëve, madhorë apo të mitur në momentin e deklarimit, apo personave të lidhur, duke deklaruar fillimin, llojin e institucionit arsimor, emrin e institucionit, pagesat vjetore si dhe kohëzgjatjen e studimeve; pronat e paluajtshme të fituara, tjetërsuara, poseduara apo përdorura; investimet apo mjete të tjera financiare që prodhojnë të ardhura, përfshirë por pa u kufizuar; aksionet apo kuotat e shoqërive tregtare, titujt e borxhit, licenca, patenta apo të drejta të tjera; llogaritë bankare, brenda dhe jashtë vendit, duke specifikuar numrat, vendndodhjen, datën e krijimit dhe gjendjen aktuale; detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë”, thuhet në projektligj.

Përveç pasurisë pjesë e projektligjit të vetingut është ai i verifikimit të figurës së efektivëve. Kjo nis që nga baza, nëse efektivi mund të ketë ndërruar identitet ose jo. Nëse kanë ndërruar shtetësinë, vendbanimin, adresën. Gjithashtu do të jetë një verifikim i hollësishëm për të shkuarën nëse brenda apo jashtë vendit ndonjë pret efektivëve ka precedentë penal. Më e rëndësishmja, do të verifikohen nëse janë përdorues droge, alkooli apo lojëra fati. “Testimin për përdorim lëndësh narkotike; varësinë nga alkooli apo nga lojërat e fatit; Përballimin e presioneve që kanë për qëllim komprometimin e punonjësit gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në projektligj. Ndërkaq efektivët, ashtu si në vetingun në sistemin gjyqësor, do të verifikohen nëse kanë qenë pjesë e ish Sigurimit të Shtetit. I gjithë ky proces i parë deri në detaje, do të realizohet me ndihmën e ndërkombëtarëve. Ky projekligj pritet të miratohet në kuvend.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet