Ndërhyrje e paligjshme në bregdetin e Himarës, 2 milionë lekë gjobë subjektit

Policia e Shtetit ka goditur një rast të shpërdorimit të hapësirave publike në zonën turistike të Drimadhës. Sipas njoftimit të Policisë, strukturat e Policisë Himarë në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit, gjatë monitorimit të vijës bregdetare kanë konstatuar një subjekt privat në zonën e plazhit të Drimadhës me shkelje. Subjekti privat (plazh) në pronësi të shtetasit A.B., 44 vjeç, ka bërë ndërhyrje të paligjshme ndaj hapësirës bregdetare duke hedhur gurë të mëdhenj, mbeturina dhe inerte, pa leje.

Në subjektin në fjalë janë konstatuar edhe 4 çadra diellore personale të vendosura pa lejen e bashkisë. Në vijim të këtyre veprimeve, Komisariati i Policisë Himarë ka nisur procedimin penal në ngarkim të 44-vjeçarit për veprat penale “Shpërdorimi i pronës” dhe “Përdorimi i tokës”. Po ashtu, nga ana e IKMT-së, subjekti privat është ndëshkuar me masë administrative – gjobë 2.000.000 lekë për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për kundravajtjen, IKMT nisi menjëherë procedurat ligjore duke pezulluar çdo lloj punimi dhe sanksionoi me vendim, subjektin kundërvajtës.

Policia e Shtetit u bën thirrje gjithë subjekteve që të tregojnë kujdes maksimal në sjelljen me pronën publike dhe mjedisin e përbashkët. Pasojat e shkeljeve ligjore dhe krimeve mjedisore do të jenë të forta për cilindo që i kryen ato. Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 apo Komisariatin Dixhital.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet