Ndragheta, tregti ari në Shqipëri

Gjykata e Tiranës me këkesë të Prokurorisë ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare të një kompanie që ka xhiruar vetëm gjatë muajve të fundit rreth 750 mijë euro. Kompania ka për aksionerë dy shtetas italianë, por nga pas tyre ndodhet një shtetas i tretë po Italian, që ka blerë 30% të aksioneve. Ky shtetas dyshohet se është pjesë e grupit mafioz Ndragheta. Sipas vendimit të gjykatës më 21 prill të 2016, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për veprën e ‘pastrimit të parave’. Nga hetimet rezulton se më 2 shtator të 2015 është regjistruar shoqëria ‘S.A’ sh.p.k me ortakë shtetasit A.T dhe P.C, me 50% të aksioneve secili. Kjo kompani administrohej nga një shtetase shqiptare dhe kryente veprimtarinë e tregtimit të paligjshëm të arit dhe nënprodukteve të tij. Nga hetimet rezulton se drejt kësaj kompanie janë depozituar në vazhdimësi shuma të konsiderueshme monetare, të cilat kanë lidhje me shitjen e arit. Prokuroria e Tiranës ka bllokuar llogaritë e kompanisë në bankë, të cilat janë të vogla, pasi pjesa më e madhe janë tërhequr. Pas vendosjes së sekuestros, përfaqësuesit e kompanisë në Shqipëri duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë ligjor për të justifikuar shumën e bllokuar, përndryshe Prokuroria do t’u sekuestrojë pronat dhe do të procedojë penalisht personat përgjegjës.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet