Nënshkruhet marëveshja për personat e zhdukur gjatë periudhës komuniste

Ministria e Brendshme nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Për Ministrinë e Brendshme nënshkroi zv.ministrja Rovena Voda ndërsa në emër të ICMP firmosi Matthew Holliday, drejtues i ICMP për Ballkanin Perëndimor. Ceremonia u bë gjatë një takimi ku morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë, përfaqësues të ICMP, diplomatë të akredituar në Tiranë dhe veprimtarë e ekspertë të shoqërisë civile.

Marrëveshja synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, nga 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur, si dhe për koordinimin e punës me organet përgjegjëse.

ICMP është organizata ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur. Ajo do të krijojë një Zyrë Shërbimi për gjetjen e personave të humbur, duke përdorur metoda tekniko-shkencore të zbulimit dhe identifikimit, si dhe shkëmbimin e informacionit me organet kompetente në kuadër të koordinimit të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e aktivitetit administrativ.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet