Një kryebashkiak për ditën, një menaxher qyteti për natën

Kryeqyteti i Shqipërisë do të ketë një kryebashkiak, për ditën, një tjetër menaxher qyteti për natën. Duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm, Bashkia e Tiranës nuk do të rrijë asnjëherë e mbyllur. Kjo është deklarata e fundit e kreut të Bashkisë Erion Veliaj gjatë vizitës në një biznes ku të punësuara janë gratë sipërmarrëse.

Sipas tij menaxheri i qytetit për natën është një pozicion që e kanë shumica e vendeve të zhvilluara europiane. “Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh”, tha Veliaj.

Megjithëse idea është hedhur, tashmë pritet për të parë se kujt do të ia delegojë detyrat numri një i Bashkisë të Tiranës. Fokusi i këtij takimi me gratë sipërmarrëse, ishte nxitja e këtyre të fundit të investojnë në mënyra të reja dhe të krijohet mundësia që të shtohen edhe kompani të tjera të drejtuara nga gratë. Aktualisht jane 22 kompani të drejtuara nga femrat vetëm në kryeqytet.

Për herë të parë Bashkia e Tiranës miratoi dhe një fond prej 6 milion lekësh për mbështetjen e sipërmarrëseve femra.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet