Nuk ka më të fortë para policisë

Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari gjatë një interviste televizive garantoi se operacioni “Forca e Ligjit” vijon hetimin lidhur me arrestimet e bëra disa ditë më parë për të mbledhur prova të reja, por dhe për të goditur grupe apo persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari antiligjore.

Sipas Lamallarit, sot Policia ka treguar se nuk ka më “të fortë”, pasi ajo është pro-aktive, që shkon deri tek këta “të fortët”.

Lamallari gjithashtu tha se nuk ka pasur dekonspirim, madje sipas tij, operacioni “Forca e Ligjit” është në vijim dhe hetimet vijojnë për të pasuruar më tej bazën e provave për të arrestuarit aktualë dhe për të tjerët që mund të kapen në vijim si të përfshirë.

“Qeveria shqiptare luftoi me sukses fenomenin e kultivimit e trafikimit të Cannabisit duke arritur heqjen e vendit nga harta e vendeve me këtë njollë të cilën e kishim trashëguar ndër vite. Në këtë kuptim, qeveria shqiptare, pjesa që lidhet me rendin e sigurinë ndërtojnë një strategji për të transferuar vëmendjen nga kultivimit të Cannabisit e trafikimi te përfituesit e këtij trafiku të paligjshëm. Në këtë drejtim u krijua Taskforca “Forca e Ligjit”. Kjo Taskforcë me punën e saj dhe falë bashkëpunimit me ndërkombëtarët arriti të ndërtojë një tablo të qartë të situatës të kriminalitetit në vend dhe veçanërisht grupeve kriminale, duke krijuar rekorde (të dhëna) të cilat shërbejnë dhe kanë shërbyer për operacionet që keni parë deri më sot, por dhe për to që do të vijnë në vijim. Lidhur me goditjen e katër grupeve kriminale, gjithçka ka nisur nga indicie të palës shqiptare dhe më pas falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me ndërkombëtarët, përfshi këtu dhe Gjermaninë, por dhe vende të tjera, u pasurua dosja dhe tashmë u bë goditja, e cila solli 27 të arrestuar. Një operacion i tillë kërkon kohë dhe provat e publikuara apo të çuar anë gjykatë janë pak në krahasim me provat që janë në të vërtetë, janë prova që mjaftojnë për të bërë arrestimin, që gjykata të vulosi masën e sigurisë së kërkuar nga prokurori, por ka provat të tjera të cilat janë grumbulluar dhe që vijojnë të grumbullohen”, tha Lamallari.

“Sot mund të themi me siguri se nuk ka të fortë më përballë shtetit. Absolutisht jo. Sot. Policia e Shtetit është proaktive. Shkon policia e Shtetit te kriminelët”, theksoi Lamallari.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet